I dënuar në Itali për dhunë në familje, 58-vjeçari kapet në Vermosh
Një 58-vjeçar, i dënuar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Vermosh me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Si pjesë e kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe bazuar në informacionet e shkëmbyera mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve italiane, shërbimet e Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Frederik Naçaj, 58 vjeç, banues në fshatin Vermosh.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Udines në Itali e kishte dënuar me 4 vjet e 2 muaj burg për veprën penale “Dhuna në familje”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po ndjek procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Italisë.
