VIDEO: Burri sulmon një fëmijë 7-vjeçar në Adana, Turqi
Një ngjarje e rëndë, e filmuar nga kamerat e sigurisë, ka nxitur reagime të forta në Turqi. Pamjet tregojnë një burrë të panjohur duke ndjekur dhe sulmuar një fëmijë në rrugët e qytetit Adana.
Sipas informacioneve, incidenti ka ndodhur në rajonin Seyhan. Për arsye ende të paqarta, burri filloi të ndiqte një djalë rreth 7 vjeç, me të cilin, sipas dëshmitarëve, kishte pasur një debat të shkurtër.
Në videon e sigurisë shihet fëmija duke u përpjekur të shpëtojë duke u ngjitur me nxitim në shkallët e një ndërtese dhe duke trokitur në derën e një banese. Në atë moment, burri e kap nga kyçi i këmbës, e godet në kokë dhe e hedh në tokë nga një lartësi prej rreth 1,5 metrash.
Pas sulmit, fëmija mbeti i shtrirë në tokë duke qarë, ndërsa agresori u largua me shpejtësi nga vendngjarja.
Pas denoncimit të bërë nga familja e fëmijës, policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit. Sipas mediave turke, fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
