Berisha: Parlamenti në kolaps, nuk qartësohet çfarë adresohet për votim!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzon mazhorancën dhe qeverinë se kanë transformuar parlamentin në një “klub kaosi”, ku mungojnë çdo lloj rregulle dhe respekti për procedurat ligjore.
Nga biseda me mediat jashtë Kuvendit, Berisha deklaroi se kryetarja e Parlamentit “nuk kupton as çfarë paraqet për votim”. Ai gjithashtu akuzoi ministrin Niko Peleshi se ka mbrojtur me “hipokrizi” rrënimin e plotë parlamentar, i cili, sipas tij, ka përfshirë institucionin ligjvënës më të lartë të vendit.
Pjesë nga deklarata e kreut të PD, Sali Berisha:
- “Këta e kanë shndërruar parlamentin në një klub, në të cilin nuk ka asnjë rregull, ka vetëm kaos.”
- “Ajo që kryeson sot aty nuk merrte vesh se çfarë hidhte në votim. Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi.”
- “Ka procedurë të sanksionuar në rregullore, por këta nuk njohin rregullore, njohin vetëm urdhra që marrin dhe pastaj bëjnë të paditurin.”
- “E dëgjuat Niko Peleshin se si u përpoq me hipokrizinë më të madhe të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar.”
- “Ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ndonjë parlamenti në botë që të kalojë për 28 minuta dhe të miratohet kabineti i ri dhe programi i saj? Kurrë!”
- “Ka ndodhur ndonjëherë që në seanca të tëra parlamenti të mbyllet brenda disa minutash dhe ka dy muaj që ka nisur punë dhe ka pasur vetëm një ditë punë? Nuk ka ndodhur ndonjëherë.”
- “Këta vazhdojnë në një kaos të plotë. Flasin përçart.”
- “Do ta bëj parlamentin evropian, dëgjoni se cili është standardi evropian, në një kohë kur parlamenti ka delinkuentë sa çdo burg tjetër të vendit.”
