Erion Veliaj për ata që e shkarkuan: “Nesër do të jetë radha juaj”
Erion Veliaj ka denoncuar mënyrën e shkarkimit të tij, duke e cilësuar atë si një proces të kryer me 8 vendime brenda 8 orëve. Ai renditi institucionet që u angazhuan në këtë proces, duke filluar nga Këshilli Bashkiak, Prefektura, Kryeministria dhe më pas Presidenca.
Në sallën e Gjykatës Kushtetuese, Veliaj deklaroi se Këshilli Bashkiak i mohoi fjalën gjatë procesit të shkarkimit. Ai shtoi se ajo që do të kishte thënë ishte një paralajmërim për këshilltarët bashkiakë, se nesër mund të përballeshin me të njëjtën padrejtësi.
“Unë nuk kam parë kurrë më parë një efikasitet të tillë me 8 vendime administrative brenda 8 orëve pune, siç ndodhi në datën 24. Ky është një efikasitet që unë e kam kërkuar për ndihmën ekonomike, për të zgjidhur lloj-lloj situatash, ku u thoja ‘Aman, t’u japim paratë njerëzve’. Ky efikasitet shembullor filloi me vendimin e Këshillit Bashkiak dhe përfundoi me dekretin e Presidentit. Kjo është mbresëlënëse për efikasitetin e shtetit tonë,” tha Veliaj.
Ai krahasoi shpejtësinë e këtij procesi me situatat e vështira të pandemisë dhe tërmetit, duke theksuar se ato nuk kanë kaluar me shpejtësi kaq të madhe. “Një vendim në orë, 8 vendime në 8 orë atë ditë, nga Këshilli, te Prefekti, te VKM, te Presidenti e kështu me radhë. Në këtë kontekst, kjo është e qartë, nuk ka nevojë për sqarime nga unë. Është e qartë që më është mohuar njoftimi, më është mohuar ftesa, më është mohuar e drejta për të qenë aty.”
Veliaj shtroi pyetjen nëse do të kishte mundur ta ndryshonte mendimin e tyre, por theksoi se nuk do të mund të zbulohej kurrë pasi nuk iu dha mundësia.
“Unë besoj se fjala ka peshë. Kur njerëzve u jepet mundësia të flasin… ju keni bërë diferencën sot. Diferenca që keni bërë është: Ja si bëhet një proces ku dëgjohen palët! Prandaj e quajta ‘fyerja më e rëndë e jetës sime’, sepse u bë nga njerëz që e dinin përkushtimin tim. Tirana si u bë? Ka qenë një kantier për 10 vite,” vijoi ai.
“Prandaj them, ritmi ‘nga padrejtësia në padrejtësi’ që shkoi ishte mbresëlënës, por nuk e di çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kisha qenë aty dhe t’i shihja në sy, edhe ndoshta do t’u kujtoja faktin se nesër mund të jenë ata viktimë e një padrejtësie,” përfundoi Veliaj.
