Tiranë, zbulohet ambient për tharjen e kanabisit, arrestohet organizatori
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Improvizimi”, duke zbuluar një ambient të përshtatur për tharjen dhe përgatitjen për shitje të bimëve narkotike. Ambientin, i cili ndodhej në zonën malore të fshatit Mukje, e kishte improvizuar dhe përshtatur shtetasi J. M., 42 vjeç, i cili dyshohet të jetë organizatori i kësaj veprimtarie kriminale dhe është arrestuar nga policia.
Gjatë operacionit, në cilësinë e personit të dyshuar për moskallëzim të krimit, është vënë në hetim edhe shtetasi B. M., 59 vjeç. Ky i fundit dyshohet se kishte dijeni për aktivitetin dhe nuk e kishte denoncuar atë.
Nga ambientet e zbuluara, policia ka sekuestruar 516 gramë lëndë e dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Materialet e mbledhura nga ky operacion i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
