VIDEO/ Protestat studentore në Francë përshkallëzohen: Arrestime dhe incidente në Lyon e Lille, 76 të plagosur
Protestat studentore, të cilat kanë përfshirë Francën për disa ditë, vijuan edhe këtë të mërkurë, duke sjellë incidente, përplasje me policinë dhe arrestime në disa qytete.
Në Lyon, protestuesit kanë djegur kazanë mbeturinash, ndërsa forcat e policisë janë pozicionuar në zonat ku janë zhvilluar grumbullimet. Mediat lokale raportojnë se 14 persona janë arrestuar në Lyon.
Ndërkohë, në Lille, protestuesit gjithashtu kanë djegur kazanë mbeturinash, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Pamjet televizive treguan një prani të shtuar të forcave të policisë në Lyon, ndërsa studentë u mblodhën pranë institucioneve arsimore në Lille dhe në Saint-Denis, në veri të Parisit.
Bilanci i protestave të ditëve të fundit është rënduar edhe nga numri i të plagosurve. Ministri francez i Arsimit, Edouard Geoffrey, deklaroi se që nga fillimi i protestave janë plagosur 76 persona, përfshirë studentë dhe staf arsimor.
“Që nga fillimi i këtyre protestave, ka pasur 76 të plagosur, si midis studentëve ashtu edhe midis stafit”, tha Geoffrey për radion RTL.
Protestat dhe bllokadat nisën javën e kaluar dhe u përkuan me një grevë më të gjerë të sektorit publik të martën. Ato janë shndërruar në një pikë tensioni politik në Francë, në një periudhë kur qeveria po përballet me presion të shtuar mbi financat publike.
Të enjten, qeveria pritet të prezantojë buxhetin e Francës për vitin 2027, i cili pritet të përfshijë masa për shkurtimin e shpenzimeve dhe reduktimin e presionit mbi financat publike.
Në protestat studentore kanë marrë pjesë edhe politikanë të partisë së majtë radikale “Franca e Pabindur”. Përfaqësues të kampeve të tjera politike e kanë kritikuar partinë, duke e akuzuar se retorika e saj po kontribuon në nxitjen e zemërimit të studentëve. Në qendër të polemikave është edhe kryebashkiaku i Saint-Denis, Bali Bagayoko, i cili ka deklaruar se qëndrimet e tij janë keqinterpretuar.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, tha se rreth 440 persona u arrestuan gjatë protestave të së martës, shumica e tyre të mitur. Sipas tij, gjatë trazirave janë regjistruar edhe shtatë incidente ku protestuesit kanë hedhur acid klorhidrik ndaj pjesëtarëve të forcave të sigurisë.
Protestat lidhen me shqetësimet e studentëve dhe nxënësve për kushtet në sistemin arsimor. Ata ankohen për mbipopullimin e klasave dhe mungesën e mësuesve. Sipas OECD-së, shpenzimet publike të Francës për arsimin fillor dhe të mesëm janë në nivelin mesatar krahasuar me vendet anëtare të organizatës. Ato janë rritur gjatë periudhës 2015-2022, megjithëse pesha e tyre në buxhet është ulur lehtë.
Qeveria franceze i ka cilësuar protestat si të papërgjegjshme, por ka pranuar se problemet me të cilat përballen shkollat e mesme duhet të njihen dhe të trajtohen.
