Gjyqtari Laurent Fuçia konfirmohet në detyrë nga KPA pas trajnimit

KPA konfirmon në detyrë gjyqtarin Laurent Fuçia

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) njoftoi të premten konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Vlorës, Laurent Fuçia. Ky vendim vjen pasi ai përfundoi me sukses trajnimin në Shkollën e Magjistraturës, të detyruar për shkak të problemeve profesionale të konstatuara.

Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Ina Rama, me petite Rezarta Schuetz dhe anëtarë Mimoza Tasi, Natasha Mulaj e Sokol Çomo. Vendimi u bazua në shqyrtimin e rezultateve të provimit përfundimtar të arritura nga Fuçia në Shkollën e Magjistraturës.

Laurent Fuçia ishte konfirmuar fillimisht në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 8 mars 2023. KPK kishte konkluduar se ai kishte arritur një nivel të besueshëm sa i përket pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Lidhur me mangësitë profesionale, KPK vlerësoi se ato nuk mund të konsideroheshin serioze apo të përsëritura vazhdimisht, duke shtuar se veprimet e subjektit gjatë gjykimeve nuk kanë qenë të qëllimshme, në kundërshtim të hapur me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta.

Megjithatë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) vlerësoi se KPK dështoi të zbatonte standarde të sakta në vlerësimin profesional të Fuçisë dhe kërkoi që çështja të shqyrtohej në KPA. Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, paraqiti çështjen në Kolegj dhe gjatë bisedimeve përfundimtare, më 9 korrik, deklaroi se u qëndronte shkaqeve të parashtruara në ankim. Ai vuri në dukje rastet që sipas tij, paraqesin gjykim të dobët nga ana e subjektit, me gabime që i cilësoi thelbësore dhe serioze, duke kërkuar shkarkimin e Fuçisë nga detyra.

Subjekti, nga ana e tij, veç parashtrimeve kundër shkaqeve të ankimit, vuri në dispozicion të KPA vendime të dhëna prej tij, të cilat pretendoi se kishin vlerë orientuese në vlerësimin e profesionalizmit të tij. Ai kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.

Kolegji vendosi më 25 korrik të vitit të kaluar të prishë vendimmarrjen e KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Fuçia dhe e pezulloi atë, duke e detyruar të ndiqte trajnimin njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës.

Laurent Fuçia u diplomua në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Vlorës, ku vazhdon ta ushtrojë aktualisht funksionin.

Scroll to Top