Prokurori Julian Xhengo konfirmohet, kalon vetingun me sukses

Prokurori Julian Xhengo konfirmohet në detyrë pas përfundimit të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) njoftoi të premten vendimin përfundimtar në çështjen e vetingut të prokurorit Julian Xhengo, duke e konfirmuar atë në detyrë pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i KPA, i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo. Vendimi erdhi pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të rezultateve të arritura nga Xhengo gjatë trajnimit njëvjeçar në Shkollën e Magjistraturës. Ky vendim i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e kishte shkarkuar Xhengon nga detyra më 14 shtator 2022, duke e konsideruar të papërshtatshëm për profesionalizmin. Gjetjet në kriterin pasuror dhe atë të pastërtisë së figurës ishin vlerësuar në mënyrë tërësore, në kuadër të cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Pas ankimit të bërë nga Xhengo në KPA, shumica e trupit gjykues të shkallës së dytë të vetingut, megjithëse konfirmoi gjetjet dhe konkluzionet e KPK për kriterin e pasurisë dhe shumicën e konstatimeve për figurën, vlerësoi ndryshe lidhur me përdorimin e një automjeti në pronësi të një personi të përfshirë në krimin e organizuar. Gjithashtu, shumica mbajti qëndrim të ndryshëm nga Komisioni edhe për gjetjet në kriterin profesional. Ata çmuan se mangësitë nuk ishin të një rëndësie të tillë sa të sjellin penalizim, por mund të korrigjoheshin përmes trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

Bazuar në këto qëndrime të ndryshme për figurën dhe profesionalizmin, shumica e KPA vlerësoi se nuk mund të konkludohej për cenim të besimit të publikut tek drejtësia. Për këtë arsye, Xhengo u urdhërua të ndiqte trajnimin njëvjeçar në Shkollën e Magjistraturës.

Julian Xhengo përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe punoi fillimisht në Prokurorinë e Vlorës dhe më pas në atë të Fierit. Prej vitit 2008, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Scroll to Top