DW: Hamasi i dorëzon Izraelit mbetje mortore të dyshuara
Organizata Hamas ende nuk i ka dorëzuar trupat e të gjithë pengjeve të vdekur. Sipas hetimeve mjeko-ligjore të ushtrisë izraelite, sërish janë dorëzuar mbetje mortore të gabuara. Mbetjet e trupave të tre personave të vdekur, të cilat u dorëzuan së fundmi nga grupi islamist Hamas, nuk përkojnë me identitetin e pengjeve të zhdukur, njoftoi ushtria izraelite, duke u bazuar në analizat dhe hetimet e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Mbetjet mortore iu dorëzuan nga Hamasi të premten në mbrëmje përfaqësuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Rripin e Gazës, të cilët më pas ia përcollën ushtrisë izraelite.
Izraeli akuzon Hamasin për mashtrim
Një ditë më parë, të enjten, më 30 tetor, Hamasi dorëzoi dy trupa të vdekur, të cilët u konfirmua se përkisnin izraelitëve Amiram Cooper dhe Sahar Baruch.
Deri më tani, grupi islamist Hamas ka dorëzuar trupat e 17 nga 28 pengjet e vdekura. Ky veprim është më i ngadaltë sesa parashikohej në marrëveshjen e paqes për Gazën të propozuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Hamasi e ka justifikuar vonesën me pretendimin se është e vështirë t’i gjenden të vdekurit, pasi ata janë varrosur nën rrënoja të ndërtesave dhe tuneleve të bombarduara. Izraeli e cilëson këtë si një gënjeshtër nga ana e Hamasit.
Hamasi pranon gabime të mëparshme
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Hamasi ka dorëzuar edhe më parë trupa palestinezësh në vend të mbetjeve të personave të rrëmbyer si pengje.
Në mes të tetorit, Hamasi dorëzoi trupin e një palestinezësh në vend të trupit të një pengu. Edhe në muajin shkurt, Hamasi dorëzoi trupin e një gruaje palestineze në vend të trupit të Shiri Bibas, e cila ishte marrë peng dhe ishte edhe shtetase gjermane.
Organizata terroriste e pranoi më vonë një gabim të mundshëm dhe në fund dorëzoi trupin e saktë.
