Vjedhje makinash: Taktika e re me kartëmonedhë dhe si të mbroheni

Nuk shqyejnë më dyert, ja trendi më i ri i “hajdutëve të makinave”. Mënyra si ta parandaloni

Bandat në Evropë po gjejnë vazhdimisht mënyra të reja dhe gjithnjë e më të sofistikuara për të mashtruar drejtuesit e automjeteve dhe për të vjedhur sende, madje edhe vetë makinat.

Vjedhjet e makinave përbëjnë një fenomen në rritje të shpejtë në shumë shtete evropiane, ndaj autoritetet vazhdimisht paralajmërojnë shoferët të jenë vigjilentë. Metodat e përdorura nga këto banda janë përhapur dhe evoluar, duke u shkëputur nga metodat tradicionale të thyerjes së dyerve apo dhunës së thjeshtë.

Një nga taktikat më të fundit dhe më të përhapura, e regjistruar në disa vende evropiane, përfshin vendosjen e kartëmonedhave, zakonisht 50 euro, mbi xhamin e përparmë të makinave. Qëllimi i kësaj taktike është të tërheqë vëmendjen e shoferit, duke e nxitur atë të dalë nga automjeti për të kontrolluar situatën ose për të marrë kartëmonedhën. Kjo krijon një rast ideal për sulm.

Një reagim jo i kujdesshëm i shoferit në këtë rast mund të ketë pasoja të rënda. Ndërsa drejtuesi është i shpërqendruar, hajdutët mund të marrin sende me vlerë nga brenda makinës ose, në raste më ekstreme, të hipin vetë në automjet dhe të largohen me të në pak sekonda.

Ashtu si në rastet e tjera të shpërqendrimit të shoferit, edhe këtu mjaftojnë disa sekonda që grabitësit të veprojnë dhe të zhduken para se të vihen re. Edhe nëse dikush kupton se kartëmonedhat janë të rreme, kjo shpesh nuk mjafton për të parandaluar ngjarjen.

Kjo praktikë është përhapur mjaft në vende si Franca, aq sa edhe autoritetet lokale të policisë kanë nxjerrë udhëzime për mënyrën se si duhet të veprojë një person për të shmangur pasojat më të rënda në një incident të tillë.

Scroll to Top