Vjedhja në Luvër: Prokurorja, hajdutë amatorë

Prokurorja e Parisit: Vjedhja në Luvër u krye nga hajdutë amatorë, jo nga profesionistë

Prokurorja e Parisit, Laure Beçuau, ka deklaruar se “shtresat e larta të krimit të organizuar” nuk ishin të përfshira në vjedhjen e fundit në muzeun e Luvrit, pasi një nga autorët kryesorë mbetet ende në arrati. Ajo përshkroi dy nga të dyshuarit si një çift me fëmijë.

Kjo deklaratë vjen dy javë pas grabitjes së guximshme që ndodhi në ditën e hapur të Luvrit. Hajdutët parkuan një kamion të vjedhur përpara muzeut, përdorën një ngritës mobiliesh për të arritur në katin e parë dhe më pas thyen derën e njërit prej salloneve më të zbukuruara. Brenda më pak se shtatë minutave, ata u larguan me skuterë, duke vjedhur bizhuteri mbretërore me vlerë rreth 88 milionë euro.

Vjedhja, e kryer një të diel në mesditë, ka ngjallur një reagim të fortë në Francë. Deri më tani, katër persona janë akuzuar, por bizhuteritë e vjedhura, mes të cilave një varëse me smerald dhe diamante e dhuruar nga Napoleon I gruas së tij, Marie Louise, dhe një diadem e zbukuruar me perla dhe diamante që i përkiste Eugenie, gruas së Napoleonit III, nuk janë rikuperuar ende.

Të paktën një autor tjetër mbetet ende në arrati, tha prokurorja Beçuau. Mediat franceze kanë spekuluar se hajdutët ishin amatorë, duke marrë parasysh se gjatë ikjes ata kishin lënë pas kurorën më të çmuar të Mbretëreshës Eugenie dhe kishin braktisur mjetet dhe sende të tjera që mund të mbanin gjurmë ADN.

“Kjo nuk është delikencë e zakonshme… por një lloj delikence që nuk lidhet zakonisht me shtresat e larta të krimit të organizuar,” theksoi Beçuau. Ajo shtoi se të akuzuarit janë banorë lokalë nga Seine-Saint-Denis, një nga zonat më të varfra të Francës.

Të shtunën, prokurorët njoftuan se një grua 38-vjeçare dhe një burrë 37-vjeçar u akuzuan dhe u vendosën nën mbikëqyrje pasi ADN-ja e tyre u gjet në ngritësin e përdorur gjatë vjedhjes. Burri u akuzua për vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal, ndërsa partnerja e tij për përfshirje në veprat penale.

Beçuau tha se ata janë një çift me fëmijë dhe kanë mohuar çdo përfshirje. Gruaja, e pranishme në gjykatë, shprehu frikë për fëmijët dhe veten e saj.

Disa ditë më parë, policia arrestoi dy persona të tjerë lidhur me ngjarjen: një algjerian 34-vjeçar banues në Francë dhe një 39-vjeçar me precedentë penale. Të dy burrat, të akuzuar për vjedhje dhe komplot kriminal, kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre, sipas prokurorisë.

Tre burrat e akuzuar njiheshin nga policia për dënime të mëparshme, përfshirë vjedhje. Dy prej tyre kishin qenë më parë të dënuar së bashku për një vjedhje para 10 vitesh.

Tre persona të arrestuar së bashku me çiftin më 29 tetor u liruan pa akuza.

Lidhur me gjetjen e bizhuterive, Beçuau nuk dha detaje për shkak të sekretit të hetimeve. “Po shqyrtojmë të gjitha mundësitë në tregun paralel për shitjen e këtyre bizhuterive, gjë që shpresoj të mos ndodhë së shpejti,” tha ajo. “Ato mund të përdoren për pastrimin e parave, mund të shiten; të gjitha pistat po shqyrtohen.”

Scroll to Top