Masat kufizuese nuk e frenuan rritjen e kredisë për shtëpi
Kredia për shtëpi ka vijuar rritjen gjatë tremujorit të tretë të vitit, pavarësisht fillimit të zbatimit të masave kufizuese nga Banka e Shqipërisë. Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në tremujorin e tretë, sektori bankar ka dhënë rreth 13.8 miliardë lekë kredi të reja për blerjen e banesave, duke shënuar një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat progresive për 9-mujorin tregojnë se vlera e kredisë për blerjen e banesave ka arritur një rekord të ri historik për këtë vit. Gjatë nëntë muajve, sektori bankar ka shpërndarë gjithsej 50 miliardë lekë kredi, 27% më shumë krahasuar me periudhën janar-shtator të vitit 2024. Portofoli total aktiv në fund të shtatorit arriti vlerën e 236 miliardë lekëve, duke u zgjeruar me pothuajse 18% krahasuar me një vit më parë.
Kredia për individët, duke përfshirë segmentin më të madh të saj, atë për shtëpi, po kontribuon kryesisht në rritjen e kredisë për ekonominë gjatë këtij viti. Që prej 1 korrikut të këtij viti, bankat janë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, si:
- “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë).
- “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raporti mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).
Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës do të jetë:
- Në monedhën Lekë: 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë.
- Në valutë të huaj: 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave do të jetë:
- Për kreditë në Lekë: 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë.
- Në valutë të huaj: 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufizimeve synon të ulë rrezikun e dështimit të huamarrësve dhe të pakësojë humbjet bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve eventuale të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme ose në kuadrin makroekonomik të vendit.
Në fakt, kritere të ngjashme janë aplikuar gjithmonë nga bankat në politikat e tyre të brendshme. Megjithatë, vitet e fundit është vërejtur një rritje e rasteve kur bankat kanë ofruar kredi në tejkalim të kufijve të mësipërm.
