“`html
BSH përgatit rishikimin e rregullave për administrimin e rrezikut të kredisë
Banka e Shqipërisë po përgatit një rishikim të plotë të kuadrit rregullator për administrimin e rrezikut në sektorin bankar. Ky proces synon përshtatjen e rregullave me standardet më të reja dhe me praktikën e zbatuar nga institucionet mbikëqyrëse europiane.
Gjatë raportimit të tij drejtuar Kuvendit të Shqipërisë javën e kaluar, Guvernatori Gent Sejko theksoi se këto ndryshime do të realizohen edhe në kuadër të modifikimit të raportimit financiar për qëllime mbikëqyrjeje, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS).
Ndryshimi më thelbësor do të prekë mënyrën e llogaritjes së provigjioneve ose fondeve rezervë për humbjet nga kreditë. Aktualisht, sipas kuadrit rregullator të Bankës së Shqipërisë, klasifikimi i kredive me probleme dhe llogaritja e provigjioneve bazohen kryesisht në vonesat kohore në shlyerjen e tyre.
Ndryshe nga ky qasje, Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) mbështesin klasifikimin e kredive dhe llogaritjen e provigjioneve mbi analizën e gjendjes financiare dhe aftësive paguese të pritshme të huamarrësit. Gjithashtu, IFRS-të lejojnë zbritjen e vlerës së kolateralit nga humbja e pritur, gjë që në përgjithësi çon në vlera më të ulëta të shpenzimeve për provigjione.
Informacionet nga Banka e Shqipërisë sugjerojnë se drafti i rregullores së re pritet të finalizohet brenda këtij viti.
Përdorimi i dy standardeve të raportimit financiar prej vitesh ka qenë një shqetësim për sektorin bankar shqiptar. Bankat aktualisht raportojnë për publikun, administratën tatimore dhe palët e tjera të interesuara sipas IFRS, që janë standardi i përcaktuar me ligj. Megjithatë, për qëllime mbikëqyrjeje bankare, ato raportojnë paralelisht edhe sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë.
Shoqata e Bankave, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, i ka dërguar disa herë Bankës së Shqipërisë kërkesën për kalimin drejt një sistemi raportimi unik, në përputhje me standardin ligjor të IFRS. Unifikimi i raportimit bankar sipas IFRS-ve, edhe për qëllime mbikëqyrjeje, ka qenë në planet e Bankës së Shqipërisë prej kohësh, por procesi është shtyrë disa herë.
Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë ku raportimi financiar për mbikëqyrje bëhet sipas një standardi lokal të veçantë. Përveç kostos shtesë të raportimit të dyfishtë, bankat shqetësohen kryesisht nga natyra konservatore e standardeve lokale të mbikëqyrjes.
Standardet lokale të Bankës së Shqipërisë karakterizohen nga një qasje më e ngurtë dhe konservatore, veçanërisht në klasifikimin e kredive me probleme, llogaritjen e provigjioneve dhe njohjen e teknikave për zbutjen e rrezikut të kredisë. Kjo shpesh rezulton në fitime më të ulëta të bankave sipas standardeve lokale, krahasuar me ato të llogaritura sipas IFRS-ve.
Edhe pse IFRS-të janë standardi ligjor i raportimit, standardet e Bankës së Shqipërisë mbeten përcaktuese për parametrat rregullatorë që bankat duhet të plotësojnë, duke përfshirë treguesin kyç të mjaftueshmërisë së kapitalit. Si pasojë, fitimi efektiv që bankat mund të shpërndajnë si dividend për aksionarët bëhet bazuar mbi standardet lokale të mbikëqyrjes.
“`
