Radari i shpejtësisë në Francë shkakton kaos: Qindra shoferë marrin gjoba, edhe pse respektonin kufirin prej 80 km/orë
Një situasyon e pazakontë ka ndodhur në Francë, ku një kamerë radari ka filluar të lëshojë gjoba në mënyrë selektive, duke ndëshkuar çdo shofer që kalonte në një rrugë të caktuar.
Tejkalimi i shpejtësisë është prej vitesh një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, prandaj autoritetet kanë investuar shumë për ta parandaluar, duke përdorur teknologji moderne, si radarët që regjistrojnë automatikisht çdo shkelje. Në kushte normale, këto sisteme matin shpejtësinë e çdo automjeti që kalon dhe, nëse tejkalohet kufiri, dërgojnë automatikisht gjobën në adresën e pronarit të makinës. Ky proces, në teori, është një mekanizëm i besueshëm dhe i drejtë, që mbron drejtuesit e rregullt nga ndëshkimet e padrejta. Megjithatë, siç u vërtetua këtë herë, edhe teknologjia mund të gabojë.
Ngjarja ka ndodhur në komunën Blanzac të Francës, duke shkaktuar pakënaqësi dhe zemërim tek qindra drejtues që u gjobitën pa pasur asnjë shkelje. Sipas mediave lokale, kamera e vendosur në një rrugë shumë të frekuentuar pësoi një defekt teknik. Si pasojë, ajo regjistroi si “tejkalim shpejtësie” çdo makinë që lëvizte me më shumë se 50 km/orë, ndërkohë që kufiri real i lejuar ishte 80 km/orë. Rezultati ishte lëshimi i qindra gjobave të padrejta, pavarësisht se shoferët kishin respektuar plotësisht rregullat.
Defekti ka zgjatur tre ditë të plota, nga 27 deri më 29 tetor. Shumë shoferë kanë deklaruar se nuk kuptonin arsyen e marrjes së gjobave. Njëri prej tyre madje ka publikuar në rrjetet sociale se kamera e kishte fotografuar katër ose pesë herë brenda një dite, ndërkohë që ai udhëtonte me një shpejtësi normale.
Autoritetet lokale u njoftuan më 28 tetor dhe dërguan menjëherë një ekip teknik, i cili zbuloi dhe rregulloi problemin. Për sa i përket gjobave të lëshuara gabimisht, Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Shkeljeve Rrugore ka nisur rishikimin e të gjitha njoftimeve të rreme. Shoferët që tashmë i kishin paguar këto gjoba do të marrin rimbursim të plotë.
