Panik në Romë: Pjesë e Torre dei Conti shembet, ka të plagosur
Një pjesë e Torre dei Conti, monument historik në Romë që aktualisht ishte në proces rikonstruksioni, u shemb në Largo Corrado Ricci, pranë Forumeve Perandorake, në zemër të qytetit.
Pas incidentit të parë, një tjetër ortek mbeturinash ra nga çatia, duke shkaktuar një re të madhe pluhuri.
Një punëtor 64-vjeçar u nxor i gjallë nga rrënojat dhe u dërgua në spital me dëmtime të rënda në kokë, në gjendje kritike.
Një punëtor tjetër rezulton ende nën rrënoja. Sipas burimeve mjekësore, ai është në vetëdije.
Shembja e dytë ndodhi ndërkohë që zjarrfikësit po punonin për të nxjerrë punëtorin e bllokuar. Fatmirësisht, të gjithë zjarrfikësit raportohet të jenë të padëmtuar.
Dy persona të tjerë, të cilët pësuan lëndime të lehta, refuzuan të transportoheshin në spital.
Punëtorët po kryenin punime në skela dhe mbetën të bllokuar pas shembjes. Ata u shpëtuan nga zjarrfikësit duke përdorur një kamion me shkallë.
Departamenti i zjarrfikësve iu përgjigj urgjencës me tre ekipe operative, dy kamionë shkallësh dhe njësi speciale.
Trafiku i këmbësorëve dhe i automjeteve u mbyll në zonën e prekur për të facilituar operacionet e zjarrfikësve.
