Pas akuzimit të Ballukut, Berisha zbut qëndrimin ndaj prokurorëve të SPAK
Jo shumë kohë më parë, Sali Berisha premtonte se do të shiste SPAK-un për shkak të goditjeve selektive që i ka dhënë opozitës dhe shërbimeve që i ka ofruar Edi Ramës. Mirëpo, akuzimi i Belinda Ballukut në lidhje me një nga procedurat e tunelit të Llogarasë duket se i ka sjellë kënaqësi opozitës, aq sa kreu i saj ka zbutur disi qëndrimin për prokurorinë e posaçme.
Gjatë fjalimit që mbajti para gazetarëve, kur u paraqit në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Berisha foli për prokurorë të ndershëm dhe guximtarë, persona që kërkojnë të zbatojnë ligjin si në SPAK, edhe në BKH. Megjithatë, ai përjashtoi nga këto vlerësime kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.
“SPAK-u është një institucion i përbërë nga njerëz të ndershëm, nga njerëz guximtarë, burra dhe gra që duan të zbatojnë ligjin, qoftë edhe në BKH. Por SPAK ka në krye një njeri, që ka 4 banesa, 3 në emër të vet dhe për njërën thotë ‘I paguaj vjehrrit qira’. E kuptoni ju tani? Kush është ai që i pranon këto broçkulla? Nuk ka zyrtar në Shqipëri, cilado të jetë rroga që mund të blejë 3 shtëpi me rrogë shteti. Këto janë para të lara nga Altin Troplini”, u shpreh Berisha.
Zbutja e retorikës së Berishës për SPAK vjen pas ndarjes që ka krijuar hetimi i Dritan Prençit mes Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, e cila është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera.
