Rama: Veliaj duhet të lirohet nëse nuk shkarkohet

Edi Rama: Nëse nuk shkarkohet, Veliaj duhet të lirohet!

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një reagim ku shpjegon disa pasoja logjike të këtij vendimi. Ai thekson edhe një herë se nuk ka kapur të gjitha pushtetet dhe kërkon që, si rrjedhojë e mosshkarkimit të Veliajt, kryebashkiaku të kthehet në zyrë i lirë.

Më poshtë është mesazhi i Ramës:

Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

  • 1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo🤷🏻‍♂️
  • 2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në vitin 2027 dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive dhe të drejtave kushtetuese të personit, por edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo🤷🏻‍♂️
  • 3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, por një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo🤷🏻‍♂️

Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë. Ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë.

Scroll to Top