KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Hektor Sinanaj

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Hektor Sinanaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka shpallur të martën, më 4 nëntor, vendimin për të lënë në fuqi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Vlorës, Hektor Sinanaj.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga gjyqtarja Albana Shtylla, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Natasha Mulaj, Rezarta Schuetze e Sokol Çomo. Vendimi erdhi pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Sinanajt kundër vendimmarrjes së Komisionit.

Vendimmarrja e Kolegjit është përfundimtare dhe ka efekt të menjëhershëm.

Gjyqtari Hektor Sinanaj u shkarkua nga detyra më 13 mars, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konkludoi se ai nuk arriti nivel të besueshëm për pasurinë dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Në vlerësimin tërësor të problemeve të konstatuara në këto dy kritere, u çmua se Sinanaj kishte cënuar me sjelljen e tij besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Megjithatë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Hektor Sinanaj e filloi karrierën si avokat në vitin 1992 dhe u emërua gjyqtar në vitin 2000. Ai punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës.

Në tetor 2021, Sinanaj mori “vërejtje publike” nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas një hetimi disiplinor të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për vendimet e tij lidhur me urdhrat e ekzekutimit të disa institucioneve financiare, për të cilat Sinanaj tha se kishte mbrojtur qytetarët.

Scroll to Top