Nëndetëse me 1.7 ton kokainë e kapur në brigjet e Portugalisë
Katër persona janë arrestuar pasi autoritetet portugeze kapën një narko-nëndetëse që transportonte më shumë se 1.7 ton kokainë. Anija gjysmë-nëndetëse, që ishte drejtuar për në gadishullin Iberik, u ndalua para pak ditësh.
Pamjet tregojnë policinë dhe forcat e marinës duke rrethuar anijen përpara se të hipnin në të. Droga u sekuestrua dhe katër anëtarë të ekuipazhit, të cilët raportohet se janë nga Amerika e Jugut, u arrestuan.
Të dyshuarit, përfshirë dy nga Ekuadori, një nga Venezuela dhe një nga Kolumbia, u lanë në paraburgim pas paraqitjes së tyre në gjykatë në Azore. Vítor Ananias, kreu i njësisë policore të Portugalisë kundër trafikimit të drogës, deklaroi në një konferencë për shtyp se kombësitë e tyre të ndryshme tregojnë se organizata pas kësaj veprimtarie nuk është e bazuar vetëm në një vend.
Qendra e Analizave dhe Operacioneve Detare (MAOC), me seli në Lisbonë, njoftoi se kishte marrë informacione ditët e fundit që sugjeronin se një organizatë kriminale po dërgonte një nëndetëse të ngarkuar me kokainë të destinuar për Evropën.
Disa ditë më vonë, një anije portugeze arriti të gjente nëndetësen rreth 1,000 milje detare larg brigjeve të Lisbonës. Operacioni u mbështet nga Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar dhe Administrata Amerikane e Zbatimit të Ligjit kundër Drogës (DEA).
Pas kapjes së anijes, marina njoftoi se nuk mund të tërhiqej në breg për shkak të motit të keq dhe strukturës së dobët të saj, duke bërë që ajo të fundosej në det të hapur më vonë.
Në mars të këtij viti, një anije e ngjashme që transportonte 6.5 ton kokainë u sekuestrua rreth 1,200 milje detare nga Lisbona.
