BSH mban normën bazë në 2.5%, ekonomia shqiptare rritet

BSH mban normën bazë në 2.5%, Sejko: Ekonomia do të vazhdojë rritjen solide

Banka e Shqipërisë vendosi në mbledhjen e saj të sotme të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e lënë atë në nivelin 2.5%. Gjatë konferencës pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Gent Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar të vendit mbeten të konsoliduar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se zgjerimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur nga rritja e konsumit familjar, e investimeve të sektorit privat dhe e eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ka vijuar të ketë një natyrë konsoliduese, ndërsa eksporti i mallrave ka shënuar rënie. Ky profil kërkese ka stimuluar zgjerimin e sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë kanë vijuar të tkurren.

Informacioni indirekt i disponueshëm sugjeron, sipas Guvernatorit, ritme dhe strukturë të ngjashme rritjeje edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit. Rritja e kërkesës për mallra dhe shërbime është pasqyruar edhe në tregun e punës. Punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4% në tremujorin e dytë, paga mesatare u rrit me 9.5%, ndërsa norma e papunësisë qëndron në nivele të ulëta historike prej 8.5%.

“Rritja e shpejtë e pagave nuk është përcjellë plotësisht me rritje të çmimeve, si pasojë e absorbimit të saj nga produktiviteti dhe marzhet e fitimit të bizneseve. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe mungesa e ofertës vijojnë ta mbajnë tregun e punës nën tension. Në këndvështrimin makroekonomik, rritja ekonomike është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi për të ardhmen i familjeve dhe bizneseve, zgjerimi i të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit,” tha Sejko.

Inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, por ai vijon të qëndrojë në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit të Bankës Qendrore. Sipas Guvernatorit, rritja e inflacionit këtë tremujor u diktua nga rritja relativisht e shpejtë e çmimit të qirave, rritja e lehtë e inflacionit të shërbimeve, si dhe stabilizimi i çmimit të naftës. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimit të ushqimeve shënoi rënie, ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i qëndrueshëm.

Në këndvështrimin makroekonomik, trendi rritës i inflacionit gjatë tremujorit të tretë pasqyroi rritjen e inflacionit bazë dhe të brendshëm, kundrejt rënies së inflacionit jobazë dhe të importuar. Kështu, inflacioni bazë u rrit në 2.9% në tremujorin e tretë, rritje kjo e ndikuar thuajse tërësisht nga rritja e çmimit të qirave. Nga ana tjetër, inflacioni jobazë zbriti në 1.2%, në pasqyrim të reduktimit të ndjeshëm të inflacionit të ushqimeve.

“Në një plan më afatgjatë, niveli i ulët dhe nën objektiv i inflacionit pasqyron efektin amortizues që forcimi i kursit të këmbimit ka pasur në inflacionin e importuar dhe goditjet e ofertës, të cilat kanë mbajtur në nivel të ulët inflacionin e ushqimeve. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste mbeten në linjë me objektivin tonë të inflacionit, si pasojë e ecurisë së qëndrueshme të kostove të punës e të prodhimit, të marzheve të fitimit dhe të pritjeve për inflacionin,” tha Sejko.

Sipas tij, politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol esencial në kontrollin e inflacionit, duke mundësuar reduktimin e përgjithshëm të primeve të rrezikut në tregjet financiare dhe duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të financimit. Në veçanti, lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare në muajin korrik ka sjellë një ulje të mëtejshme të normave të interesit të kredive të reja dhe ka reduktuar kostot e shërbimit të atyre ekzistuese. Po ashtu, prezenca e shtuar e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka ndihmuar në reduktimin e presioneve forcuese të kursit të këmbimit, duke mundësuar një nivel më të qëndrueshëm të tij.

Për rrjedhojë, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, bilance të shëndosha të sektorit bankar, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit. Kredia për sektorin privat vijoi të rritet me norma dyshifrore gjatë tremujorit të tretë. Portofoli i kredisë u rrit me 14%, duke shënuar një ngadalësim të lehtë krahasuar me gjysmën e parë të vitit, por duke ofruar një mbulim të mjaftueshëm të nevojave për fonde të bizneseve dhe familjeve. Rritja e portofolit të kredisë vijon të mbetet e lartë dhe e qëndrueshme në segmentin e kredisë në Lek, të kredisë për investime të bizneseve dhe të kredisë për individë, por ajo ka shfaqur shenja ngadalësimi në segmentin e kredisë në valutë dhe të kredisë për kapital qarkullues. Nga ana tjetër, cilësia e portofolit të kredisë, e vlerësuar përmes treguesit të kredive me probleme, vijon të mbetet e kënaqshme.

Në projeksionet për të ardhmen, Banka e Shqipërisë vlerëson se përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se perspektiva e zhvillimeve ekonomike mbetet pozitive. “Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, me ritme solide dhe pranë potencialit. Rritja ekonomike do të nxitet nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit dhe të pagave. Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë prej 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Ky parashikim pasqyron pritjet tona për ecuri të balancuar të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, për stabilizim të inflacionit në tregjet ndërkombëtare, për një ecuri më të qëndrueshme të kursit të këmbimit, si dhe për mungesën e goditjeve të ofertës në të ardhmen,” u shpreh Guvernatori.

Megjithatë, ai theksoi edhe njëherë se panorama e rreziqeve për të ardhmen mbetet komplekse. Ndonëse në zbutje, tensionet tregtare dhe gjeopolitike përbëjnë rreziqe materiale me kah të poshtëm. Nga ana tjetër, mungesat në tregun e punës dhe rritja e shpejtë e pagave mund të pasqyrohen në një nivel më të lartë inflacioni se parashikimet e Bankës së Shqipërisë.

Scroll to Top