Arrestim për prostitucion dhe shfrytëzim në Tiranë

Përshtatën banesën për prostitucion, arrestohet shtetasja kineze

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Foreign 3”, duke goditur një rast shfrytëzimi të prostitucionit dhe një rast përshtatjeje ambientesh për këtë veprimtari.

Një 47-vjeçare, shtetase kineze, është arrestuar pasi akuzohet se shfrytëzonte për prostitucion dy shtetase të tjera kineze, të cilat ushtronin këtë veprimtari në apartamentin ku banonin, të cilin e kishin përshtatur për këtë qëllim.

Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, bazuar në informacione të siguruara për një rast prostitucioni, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Gjatë operacionit:

  • Është arrestuar shtetasja kineze F. Z., 47 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
  • Është proceduar penalisht për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”, shtetaset kineze D. W., 44 vjeçe, dhe L. C., 46 vjeçe.

Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top