Antonio Kasano nuk ka kursyer kritikat ndaj Masimiliano Alegrit, duke e cilësuar si një trajner që nuk ka evoluar në mënyrën e tij të lojës dhe me një futboll që nuk pëlqehet.
Ish-sulmuesi, duke folur në programin “Viva el Futboll”, theksoi se skuadra e Milanit, nën drejtimin e Alegrit, ka pak shanse të arrijë vendin e tretë apo të katërt në renditje.
“Unë them: ke qenë pushim për një vit, do të evoluosh pak, dëshiron të bësh diçka ndryshe. Nuk mund ta shoh një ekip si Milani me lojtarë si Modriç, një nga më të mëdhenjtë, i cili luan si mesfushor tipik duke rikuperuar topat. Nuk mund ta imagjinoj ekipin e tij, me përjashtim të ndeshjes kundër Udinezes dhe gjysmës së ndeshjes kundër Bolonjës, ku të gjithë vendosin gjithmonë të luajnë pas linjës së topit, duke e hedhur topin përpara dhe duke shpresuar që diçka të ndodhë. Nuk shoh asgjë, të gjithë qëndrojnë pas topit duke u mbrojtur, pastaj gjejnë golin dhe vazhdojnë të mbrohen. Për mua, ky nuk është evolucion, ky nuk është lloji i futbollit që më pëlqen dhe nuk mendoj se Alegri do ta ketë jetën e gjatë në Milano. Kam dyshimet e mia që ai do të përfundojë i treti ose i katërti këtë vit; mendoj se ai do e ketë jetën e shkurtër, siç ishte për Murinjo. Ky është treni i fundit, pastaj është i mbaruar,” ishin fjalët e Kasanos.
