Trump refuzon armëpushimin 7-ditor të propozuar nga Irani; SHBA pritet të rifillojë sulmet pas zgjedhjeve të nëntorit
Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar propozimin e Teheranit për një armëpushim shtatëditor. Ai u ka komunikuar bashkëpunëtorëve të tij se pret të rifillojë bombardimet ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, raporton gazeta prestigjioze “Wall Street Journal”.
Iniciativa e Teheranit, e cila iu dërgua Uashingtonit përmes ndërmjetësve nga Katari, parashikonte pezullimin e menjëhershëm të luftimeve në rajon dhe rihapjen brenda një jave të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme strategjike për transportin botëror të naftës dhe gazit.
Në këmbim të ndërprerjes së luftimeve, pala iraniane kërkonte që Shtetet e Bashkuara të:
- Hiqnin bllokadën detare ndaj porteve të saj.
- Lehtësonin sanksionet mbi eksportet e naftës.
- Zhbllokonin asetet financiare iraniane të ngrira jashtë vendit.
Plani parashikonte gjithashtu ndërprerjen e përplasjeve në fronte të tjera rajonale, përfshirë Libanin, me qëllim që pas periudhës shtatëditore palët të fillonin negociata më të zgjeruara për programin bërthamor.
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe Presidenti Masoud Pezeshkian deklaruan se forcat iraniane do t’i përmbaheshin menjëherë planit sapo ai të pranohej nga pala amerikane.
Megjithatë, burimet e “Wall Street Journal” bëjnë me dije se Trump mbetet mjaft skeptik për vullnetin e Teheranit për t’iu përgjigjur kërkesave të Uashingtonit. Administrata amerikane u ka bërë të qartë ndërmjetësve se nuk synon të heqë bllokadën detare, duke llogaritur se presioni i vazhdueshëm ekonomik do ta detyrojë Teheranin të pranojë një marrëveshje me kushte të tjera.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se një takim trepalësh mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë, i ndërmjetësuar nga Katari, nuk solli ndonjë përparim të rëndësishëm për rigjallërimin e diplomacisë.
