Pacolli tregon si u ndje i fyer nga Ministrja Balluku

Rrëfimi i Pacollit: Si u ndjeva i fyer nga Ministrja Balluku gjatë një takimi me përfaqësues turq

Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka zbuluar për herë të parë detaje nga prapaskenat e përfshirjes së tij në projektin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Pacolli rrëfeu një takim në zyrën e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, i cili u zhvillua në prani të përfaqësuesve të një kompanie turke. Sipas tij, ky takim implikoi faktin se tenderi ndërkombëtar për këtë koncesion kishte fitues të paracaktuar, duke qenë kështu një proces fiktiv.

Pacolli fillimisht shpjegoi mënyrën se si mori vesh për këtë investim:

  • “Një person, Valon Ademi, erdhi dhe më paraqiti idenë për këtë koncesion, i cili më parë kishte dështuar pasi investitorët nuk e kishin parë fitimprurës, por sipas tij, mund të ishte interesant. Ai më tha se donte të ishte pjesë, por nuk kishte referencat dhe as mundësitë financiare. I dërgova dokumentet kompanisë time për t’i shqyrtuar nëse ishte me interes.”
  • “Kompania më ktheu përgjigje, duke konfirmuar interesin dhe duke paraqitur referencat dhe dokumentet bankare. Na mungonte vetëm një kompani menaxhuese, pasi kontrata e koncesionit e kërkonte këtë rol edhe pas ndërtimit. Kompania ime në Zvicër kontaktoi disa kompani në Francë dhe Gjermani, dhe mbajtëm kontakt me Aeroportin e Mynihut, të cilët treguan interes dhe prisnin të ftoheshin nga ne.”

Më pas, Pacolli tregoi për takimin në zyrën e ministres Balluku, nga i cili u largua me ndjenjën e pakënaqësisë për mënyrën se si u trajtua:

  • “Në këtë kohë, mora një telefonatë nga një person në Turqi, të cilin e kisha njohur më parë në Kazakistan, i quajtur Hyseni. Ai më tha se kishte marrë një telefonatë nga Presidenca turke për të udhëtuar në Shqipëri me dy misione: ndërtimin e një spitali dhe bashkëfinancimin e një aeroporti.”
  • “Isha më pas në një event në Kazakistan ku ishte edhe ai dhe biseduam. Ramë dakord të bënim një takim në Shqipëri. Ai më mori në telefon dhe më njoftoi se kishte lënë një takim në Ministrinë e Infrastrukturës në Shqipëri, duke më pyetur nëse mund të merrja pjesë edhe unë. Shkova, edhe pse vonova pak për shkak të trafikut. E takova në hyrje dhe shkuam te ministrja. Ai u ul përballë ministres, ndërsa unë mbeta në një anë tjetër. Të gjithë kohës shikoja turkun dhe shpinën e ministres.”
  • “Kuptova se ministrja i propozoi atij të merrte pjesë në tender dhe të ishin bashkë-financues. Në një moment, i thashë: ‘Jeni duke bërë bisedë, unë po iki. Do ta pres mikun tim poshtë në restorant.’ Përshëndeta dhe ika. Të them të drejtën, isha pak i fyer. Ishte hera e parë që dikush nuk më konsideronte.”

Pacolli shtoi se turku e ndoqi në restorant dhe i tha se do të merrte 60% të projektit. Ai u shpreh se ishte dakord, por do të rivlerësonte nëse ia vlente të ishte minoritar në këtë investim. Pas konsultimeve me kompaninë, Pacolli ishte i bindur të mos merrte pjesë. Megjithatë, gjatë kthimit në Kosovë, turku e telefonoi sërish, duke i propozuar një ndarje prej 60% për të dhe 40% për ta. Duke marrë parasysh se Valon Ademi do të merrte 2%, në fund u ra dakord që Pacolli të kishte 58%, turqit 40% dhe Valon Ademi 2%.

Scroll to Top