S’ka armëpushim në Sudan! Shpërthime pranë bazës ushtarake dhe termocentralit në Khartum
Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar të dielën në mëngjes pranë kryeqytetit të Sudanit, Khartum, i cili ndodhet nën kontrollin e ushtrisë. Kjo ngjarje ndodhi vetëm një ditë pasi milicia e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) ra dakord për një armëpushim humanitar të propozuar nga vendet ndërmjetëse.
Banorët e qytetit fqinj Omdurman raportuan se shpërthimet janë dëgjuar afër një baze ushtarake dhe një termocentrali, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Ndërkohë, nga qyteti Atbara, rreth 300 kilometra në veri – gjithashtu nën kontrollin e ushtrisë – banorët raportuan se kishin parë dronë, të cilët u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Deri tani nuk ka raportime për viktima nga këto sulme, për të cilat as ushtria dhe as RSF nuk kanë dhënë komente. Që nga 26 tetori, kur RSF mori nën kontroll qytetin El Faser në perëndim të vendit, luftimet janë përqendruar kryesisht në provincën Kordofan në qendër të Sudanit dhe drejt Khartumit në lindje. Kryeqyteti ka qenë relativisht i qetë që prej marsit, kur ushtria rimori kontrollin, por RSF vijon të ndërmarrë sulme me dronë kundër infrastrukturës ushtarake dhe civile.
Sindikata e Mjekëve Sudanezë njoftoi se të dielën paraushtarakët bombarduan një spital në qytetin Diling, në Kordofanin Jugor, duke plagosur disa persona. “Bombardimi shkatërroi departamentin e radiologjisë së spitalit,” tha sindikata.
RSF, e udhëhequr nga Gjenerali Mohammed Daglo, kishte bërë të ditur të shtunën se kishte pranuar propozimin për një armëpushim humanitar tremujor, i paraqitur që në shtator nga e ashtuquajtura “kuartet” – Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Egjipti. Sipas një zyrtari saudit, gjatë kësaj periudhe pritet të bëhen përpjekje që të dyja palët të takohen në Arabinë Saudite për të negociuar një marrëveshje të përhershme paqeje.
Ushtria e Sudanit nuk ka komentuar ende mbi këtë njoftim, ndërsa udhëheqësi i saj, Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, përsëriti të shtunën se forcat e tij “vazhdojnë të mposhtin armikun.”
