Lufta tregtare SHBA-Kanada: Trump njofton rritjen e tarifave në 50% për automjetet dhe çelikun kanadez
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përshkallëzuar luftën tregtare me Kanadanë duke njoftuar se do të rrisë në 50% tarifat për importet e makinave, kamionëve dhe çelikut kanadez.
Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije se masat e reja tarifore do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027. Trump e arsyetoi këtë vendim duke akuzuar Otavën se ka dëmtuar fermerët amerikanë përmes politikave të saj dhe se “ka mashtruar Shtetet e Bashkuara për vite me radhë”.
Kjo masë e re nënkupton dyfishimin e detyrimeve kryesore doganore të SHBA-së për automjetet kanadeze, të cilat aktualisht janë të vendosura në nivelin 25%. Tarifat për importet e çelikut tashmë ndodhen në kuotën e 50%.
Paralajmërimi i Uashingtonit vjen pasi pala kanadeze kërkoi uljen e këtyre tarifave si pjesë e një pakti të ri tregtar me SHBA-në. Bisedimet dukeshin pranë përfundimit përpara se të dështonin mbrëmjen e së premtes.
Ky përshkallëzim pason vendimin e të shtunës, ku SHBA-ja vendosi tarifa prej 50% mbi një sërë mallrash kanadeze me një vlerë të përgjithshme prej rreth 20 miliardë dollarësh, me fokus te verërat, çimentoja dhe produkte të tjera industriale e bujqësore.
