Rrëfimi i Pacollit: Aeroporti i Vlorës, skandali tjetër i tenderit të Ballukut
Nga ngjashmëritë e frikshme mes tenderit për tunelin e Llogarasë, për të cilin është marrë e pandehur Belinda Balluku, dhe atij për Aeroportin e Vlorës, dalin fakte të reja nga rrëfimi i Behgjet Pacollit.
Në mënyrë identike sikurse akuzohet nga SPAK për manipulimin e tenderit të tunelit të Llogarasë, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duket se ka vepruar edhe për tenderin e Aeroportit të Vlorës. Një rrëfim i gjatë i biznesmenit miliarder Behgjet Pacolli ka hedhur më shumë dritë mbi mënyrën se si zhvillohen “garat” e koncesioneve të mëdha në Shqipëri, ku personat dhe kompanitë duket se paracaktohen paraprakisht.
Pacolli ka rrëfyer në një intervistë për “Opinion” se kur ai vendosi të konkurronte për aeroportin e Vlorës, një i njohuri i tij, pronari i kompanisë turke YDA Group, e njoftoi se edhe ai do të merrte pjesë në garë. “Ai më tha se e kishin njoftuar nga presidenca turke se duhet të merrnin pjesë në këtë garë”, tregoi Pacolli.
Siç dihet, YDA Group u fut në tender vetëm për të plotësuar kriterin e një firme me eksperiencë në punime të tilla, i cili ishte një kusht për pjesëmarrje. Por, pasi puna u krye, turqit u larguan duke arkëtuar, sipas Pacollit, 3 milionë euro vetëm për shkak se kishin dorëzuar dokumentacionin. Duket se ministrja Balluku kishte një marrëveshje sekrete me ta, pasi kur përfaqësuesi i YDA dhe Pacolli shkuan për takim në zyrën e saj, ajo nuk i adrezoi asnjë fjalë biznesmenit kosovar. Ajo foli vetëm me turkun, duke e detyruar Pacollin të largohej nga takimi.
Kjo insinuatë nuk përbën të vetmin dyshim. Ashtu si në tenderin e tunelit të Llogarasë, edhe këtu përmendet emri i Erdoganit. Te tuneli, Balluku ka transferuar një mesazh të kapur nga SPAK, ku kompania turke Interkar ASL pretendon se është “e preferuara e presidentit”. Në të dyja rastet, kompanitë turke u futën në tender thjesht formalisht, pa kryer asnjë punë, dhe u larguan me miliona të pamerituara.
Ndonëse në intervistën për Fevziun, Pacolli mohoi të ketë dhënë ryshfet dhe hodhi poshtë aludimet se largimi i turqve lidhej me ndonjë skemë korruptive, ai shtoi se “As Rama as Balluku nuk janë marrë me %-t e aksioneve… Edi Rama nuk më ka pyetur kurrë për aksionet, e vetmja gjë që më ka kërkuar ishte nëse aeroporti mund të inagurohej para zgjedhjeve”, duke theksuar se ky afat ishte i pamundur të arrihej.
Megjithatë, Behgjet Pacolli nuk u pyet dhe nuk u përgjigj për një çështje kryesore: si është e mundur që ai, bashkë me turqit e YDA Group, u bënë fitues të një “gare” të manipuluar, e cila ka përfunduar në SPAK me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, njësoj si për tunelin e Llogarasë.
Në tenderin e shpallur në fund të vitit 2020, ka pasur një varg shkeljesh. Fillimisht, është kërkuar që të ndërtohej një aeroport për 10 milionë pasagjerë dhe me dy kulla kontrolli. Për të siguruar fitoren e atyre që u paracaktuan, katër ditë para garës, kapaciteti u zbrit në 2 milionë dhe kullat në 1. Për më tepër, kompania tjetër konkurente, AL-DE, ndonëse me kushte shumë më të favorshme për interesin publik, u skualifikua nga gara me justifikimin banal se nuk kishte dorëzuar dokumentacionin e plotë.
Britanikët e AL-DE Corporation LTD denoncuan garën e parregullt dhe për këtë çështje SPAK ka njoftuar se ka hapur hetim për shpërdorim detyre, favorizim të palëve të caktuara dhe shkelje të pabarazisë në tendera.
Por nuk përfundon këtu. Pas marrjes së tenderit fiktiv, kompania fituese kishte tre aksionerë: Mabco Construction e Pacollit me 58%, YDA Group e turqve (që kishin ndërtuar edhe spitalin elektoral të Fierit) me 40%, dhe 2A Group e Valon Ademit me 2%. YDA Group, siç u tha, ishte përfshirë në koncesion për shkak të përvojës së saj në ndërtimin e aeroportit, pa të cilën nuk mund të justifikohej përmbushja e kritereve të garës. Prandaj, ajo u “shpërblye” me 40% të aksioneve.
Po ç’ndodhi? Ndonëse u shpallën fitues, turqit e YDA Group u tërhoqën menjëherë pas përfundimit të procesit, duke paguar një shumë qesharake, 4200 euro, për 40%-shin e tyre. Në fakt, sipas rrëfimit të fundit të Pacollit, ata u larguan me 3 milionë euro, ndërkohë që kishin kërkuar 5 milionë.
Nga ky moment, autoritetet shtetërore duhet të kishin ndezur sinjalin e kuq të alarmit, sepse ligji për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat detyron që para ndryshimit të çdo aksioneri në kontratat koncesionare, duhet marrë fillimisht miratimi i Autoritetit Kontraktor dhe Ministrisë së Financave. A e bënë këtë gjë? Natyrisht që jo. A dëshmon kjo se ishin palë në organizimin e një gare fiktive me një kompani turke të futur vetëm për letra? Natyrisht që po.
Këtë e vërteton fakti se shitja e 40% të aksioneve që kaluan nga turqit tek Pacolli, në dhjetor të vitit 2022 (pikërisht ato aksione për të cilat po bëhet sherri i sotëm), është miratuar nga titullari i Autoritetit Kontraktor, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe ministrja e Financave!
