Platformë çmimesh dhe çmime fikse nga tetori

Nga tetori, platformë live për çmimet e 160 produkteve të shportës ushqimore dhe higjienës.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për shtyp mbi treguesit ekonomikë për muajt janar-gusht, njoftoi se nga fillimi i tetorit do të jetë e aksesueshme një platformë online publike, e cila do të pasqyrojë çmimet e rreth 160 produkteve ushqimore dhe higjienike.

Sipas Ibrahimajt, platforma do të shërbejë si një pasqyrë çmimesh për konsumatorët, duke u mundësuar atyre të ndjekin evolucionin e çmimeve të produkteve të përfshira në listë.

Kjo nuk është e vetmja masë që po përgatitet për çmimet. Ministrja shtoi se po punohet gjithashtu me importuesit, prodhuesit dhe rrjetet e marketeve për hartimin e një liste produktesh që do të tregtohen për një periudhë tre mujore me çmime fikse.

“Jemi duke punuar me importuesit, prodhuesit dhe marketet për një listë produktesh që do të tregtohen për 3 muaj me çmime fikse”, u shpreh Ibrahimaj.

Të dyja nismat, platforma live e çmimeve dhe lista e produkteve me çmime fikse, pritet të bëhen publike në fillim të tetorit. Këto masa vijnë si pjesë e përpjekjeve për të rritur transparencën mbi çmimet dhe për t’u dhënë konsumatorëve më shumë informacion mbi koston e produkteve bazë.

Ibrahimaj: Investimet e huaja direkte arrijnë 1,1 mld euro, mbi 50% më shumë se një vit më parë

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për shtyp mbi të dhënat ekonomike të periudhës janar-gusht, deklaroi se sinjalet për pjesën e mbetur të vitit vijojnë të jenë pozitive, ndërsa rritja e investimeve është shoqëruar me ecuri të mirë në turizëm, shërbime, pasuri të paluajtshme dhe teknologjinë e informacionit.

Ibrahimaj theksoi se investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën në 1.14 miliardë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke shënuar një rritje prej më shumë se 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas ministres Ibrahimaj, një pjesë e rëndësishme e ecurisë pozitive të ekonomisë për 8-mujorin është lidhur me transportin dhe akomodimin, sektorë të cilët janë ndikuar drejtpërdrejt nga rritja e turizmit.

Një tjetër sektor ku është vërejtur rritje është pasuria e paluajtshme, ku kërkesa vijon të ndikohet nga zhvillimi i turizmit, sipas ministres së Ekonomisë.

Ecuri pozitive është raportuar edhe në arsim dhe shëndetësi, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, duke reflektuar rritjen e investimeve në këto fusha.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ministrja, industria përpunuese vendase ka pasur rritje, ndërsa industria në tërësi ka shënuar një rritje më të moderuar, rreth 0.46%. Ecuri negative është regjistruar në grupin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit. Brenda këtij grupi, megjithatë, bujqësia ka shënuar një rritje nominale prej rreth 2%, e cila, sipas Ibrahimajt, reflektohet edhe në ecurinë e eksporteve bujqësore.

Struktura e ekonomisë vijon të dominohet nga shërbimet, të cilat zënë rreth 41.7% të aktivitetit ekonomik. Ndërkohë, është rritur edhe pesha e bujqësisë, ndërtimit dhe industrisë.

Nga ana e shpenzimeve, një nga kontribuesit kryesorë ka qenë konsumi i familjeve, i cili është rritur me mbi 4%. Konsumi i administratës publike ka shënuar gjithashtu rritje.

Këto zhvillime kanë mbështetur kërkesën e brendshme dhe aktivitetin ekonomik gjatë 8-mujorit.

Në 8-mujorin e parë të vitit, eksportet e mallrave dhe shërbimeve arritën në rreth 3.7 miliardë euro, me një rritje prej 9.7%. Pesha kryesore në këtë vlerë e kanë eksportet e shërbimeve, të cilat arritën në rreth 2.4 miliardë euro, ndërsa eksportet e mallrave mbeten në një nivel më të ulët.

Sipas ministres, komponentët kryesorë të ekonomisë kanë pasur një ecuri pozitive, duke dhënë sinjale për një vijim të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik edhe në pjesën e dytë të vitit.

Scroll to Top