Miratim Ligj Barazia Gjinore: Fitore për të Drejtat

Organizatat e shoqërisë civile mirëpresin miratimin e ligjit për “Barazinë Gjinore”

Dhjetëra organizata të shoqërisë civile kanë shprehur mbështetjen e tyre të premten për miratimin e ligjit për “Barazinë Gjinore”, duke e cilësuar atë një moment historik për avancimin e të drejtave të barabarta, eliminimin e diskriminimit dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për barazinë gjinore në Shqipëri.

Gjatë një konference për media, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) dhe Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN), në bashkëpunim me organizata partnere të shoqërisë civile, prezantuan dispozitat kryesore të ligjit, ndikimin e pritshëm në sektorët publikë dhe privatë, si dhe hapat konkretë për zbatimin efektiv të tij.

Mirela Arqimandriti nga GADC theksoi se ligji përfaqëson një reformë strukturore ligjore, sociale dhe kulturore për të gjithë shoqërinë, duke afruar Shqipërinë me vlerat dhe standardet e Bashkimit Europian. “Ky ligj përfshin një sërë dispozitash që garantojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, duke përfshirë gratë dhe vajzat, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet rome e egjiptiane dhe personat LGBTI+,” tha Arqimandriti.

Koalicioni vuri në dukje se risitë e ligjit lidhen me njohjen e punës së papaguar dhe eliminimin e hendekut gjinor në paga.

Ines Leksaj nga AWEN nënvizoi se ligji detyron institucionet publike të zbatojnë buxhetimin gjinor, duke siguruar që burimet publike të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe transparente. Leksaj gjithashtu theksoi dispozitën që obligon institucionet, shkollat, mediat dhe çdo subjekt publik e privat “të përdorë gjuhë me ndjeshmëri gjinore dhe gjithëpërfshirëse, si mjet për të ndaluar stereotipet, diskriminimin dhe seksizmin në hapësirën publike”.

Ndërsa Romina Sefa, përfaqësuese e organizatës për gratë rome, vlerësoi parashikimet ligjore për mbrojtje nga “diskriminimi i shumëfishtë”, një fenomen që sipas saj prek gratë rome. Përfaqësues të organizatave të tjera për të drejtat e njeriut gjithashtu vlerësuan se dispozitat ligjore ofrojnë mbrojtje për të gjitha kategoritë e popullsisë dhe grupet e margjinalizuara.

Ligji për “Barazinë Gjinore” u miratua në seancë plenare të enjten, duke u shoqëruar me debate dhe kundërshtime nga opozita.

Para godinës së parlamentit, dhjetëra protestues ishin thirrur nga një pastor, i cili e përshkroi ligjin si “një të keqe të madhe që po i kanosej familjes dhe fëmijëve”. Protestës iu bashkua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili akuzoi ambasadorin e Bashkimit Europian në vend, Silvio Gonzato, se po kërkonte t’i impononte vendit “agjendën e tij personale”.

Deklarata e Berishës ngjalli reagimin e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila në platformën X theksoi se “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë personale e Ambasadorit të BE në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”.

Deputetët e opozitës kundërshtuan projektligjin kryesisht për terminologjinë e përdorur dhe votuan kundër tij. Debatet publike dhe politike u përqëndruan në përkufizimin e gjinisë në dispozitat ligjore, të cilat sipas tyre, binin ndesh me familjen dhe traditën shqiptare, si dhe hapnin rrugë njohjes ligjore të komunitetit LGBTI+.

Scroll to Top