SHBA akuzon Iranin për komplot vrasjeje ndaj ambasadores izraelite

SHBA akuzon Iranin për komplot vrasjeje ndaj ambasadores izraelite në Meksikë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Iranin për planifikimin e vrasjes së ambasadores së Izraelit në Meksikë. Sipas zyrtarëve amerikanë, ky akt synonte zhvendosjen e konfliktit mes dy vendeve në një rajon tjetër.

Një zyrtar amerikan, i cili preferoi të mos identifikohej, deklaroi se plani u pengua dhe aktualisht nuk përbën kërcënim. Sipas tij, Gardistët e Revolucionit të Iranit kishin planifikuar vrasjen e Einat Kranz Naiger që nga fundi i vitit të kaluar, ndërsa tentativa u shmang dhe nuk ka asnjë kërcënim për momentin. Plani ishte aktiv gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

“Komploti u parandalua dhe nuk përbën kërcënim aktual,” theksoi zyrtari për Reuters. Ai shtoi se ky është vetëm një nga rastet e shumta të vrasjeve dhe kërcënimeve ndaj diplomatëve, gazetarëve, disidentëve dhe çdo personi që kundërshton regjimin iranian. Ai theksoi se ky fakt duhet të shqetësojë çdo vend ku ka prezencë iraniane.

Zyrtari nuk dha detaje se si u pengua plani i vrasjes, ndërsa Misioni i Iranit në OKB në Nju Jork refuzoi të komentojë.

SHBA dhe aleatët e saj kanë deklaruar shpesh se Irani dhe përfaqësuesit e tij kanë synuar të kryejnë sulme të dhunshme ndaj kundërshtarëve të regjimit. Shërbimet e sigurisë në Britani dhe Suedi paralajmëruan vitin e kaluar se Teherani përdorte agjentë kriminalë për të kryer sulme, ndërsa Londra tha se kishte penguar 20 plane të lidhura me Iranin që nga viti 2022. Vende të tjera kanë dënuar rritjen e planeve për vrasje, rrëmbime dhe ngacmime nga shërbimet iraniane të inteligjencës.

Drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum, deklaroi muajin e kaluar se Irani po përpiqej “me ngulm” të heshtte kritikët e regjimit iranian në të gjithë botën. Ai theksoi se Australia kishte zbuluar përfshirjen e Iranit në plane antisemitike, ndërsa autoritetet holandeze kishin zbuluar një tentativë vrasjeje.

Izraeli ka qenë prej kohësh objektiv i Republikës Islamike, sidomos pas luftës mes Izraelit dhe Iranit, gjatë së cilës bombardues amerikanë goditën objektet bërthamore iraniane në qershor.

Scroll to Top