Teherani, mungesë uji dhe rrezik evakuimi

Teherani mund të përballet me mungesë uji dhe evakuim, sipas presidentit iranian

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se kryeqyteti Teheran mund të evakuohet në fund të këtij viti nëse nuk bie shi. Irani po përballet me një nga thatësirat më të rënda të dekadave të fundit.

“Nëse nuk bie shi, do të duhet të fillojmë të shpërndajmë ujin me racion në Teheran, rreth fundit të nëntorit ose fillimit të dhjetorit,” tha presidenti në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror. Ai shtoi se “edhe nëse e shpërndajmë me racion, nëse nuk bie shi deri atëherë, do të kemi mungesë uji dhe do të duhet të evakuojmë Teheranin”, pa dhënë detaje se si kjo mund të realizohet në një metropol me 10 milionë banorë.

Drejtori i kompanisë së ujit të kryeqytetit, Behzad Parsa, paralajmëroi të dielën se qyteti mund të mbetet pa ujë të pijshëm brenda dy javësh. Ai theksoi se diga Amir Kabir, një nga pesë digat kryesore furnizuese të Teheranit, ka vetëm “14 milionë metra kub ujë, pra 8% të kapacitetit të saj”.

Mohsen Ardakani, drejtor rajonal i kompanisë së ujit, nënvizoi në televizionin shtetëror se banorët e Teheranit kanë ulur konsumin e ujit me 10% gjatë gjashtë muajve të fundit. “Nëse arrijmë në 20%, do të mund të mbajmë situatën stabilitet për një deri në dy muaj, deri sa të bie shi,” tha ai.

Klima në Teheran karakterizohet nga vera e thatë dhe e nxehtë. Vjeshta sjell ndonjëherë shi, ndërsa dimrat mund të jenë të ashpër me reshje bore. Për arsye kursimi, furnizimi me ujë është ndërprerë kohët e fundit në shumë lagje të qytetit, siç ka ndodhur shpesh edhe gjatë verës.

Sipas agjencisë Tasnim, sasia e reshjeve në Iran ka rënë këtë vit në 152 milimetra, duke përfaqësuar vetëm 40% të mesatares së 57 viteve të fundit. Në disa provinca, ulja e reshjeve ka qenë 50-80%, sipas Mohammad Reza Kavianpour, kreu i Institutit të Kërkimeve për Ujin, i cili ka paralajmëruar se vendi “duhet të përgatitet për një situatë kritike”.

Scroll to Top