Serbia miraton ligj special për hotelin e dhëndrit të Trump

Me ligj special, Serbia miraton ndërtimin e hotelit të dhëndrit të Trump në Beograd

Kuvendi i Serbisë ka miratuar të premten një ligj të posaçëm për shembjen e godinës së dëmtuar të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në qendër të Beogradit. Ky veprim hap rrugën për ndërtimin e një hoteli luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Rindërtimi i këtij kompleksi modernist të mesit të shekullit XX, i cili u dëmtua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, ka qenë një çështje e ndjeshme në Serbi. Ligji u miratua me 130 vota pro dhe 40 kundër. Kuvendi serb miratoi gjithashtu një propozim që ky ligj të hyjë në fuqi para afatit të zakonshëm prej tetë ditësh pas publikimit.

Ligji i quajtur “lex specialis” është një dispozitë e veçantë që ka përparësi ndaj ligjit të përgjithshëm kur të dy rregullojnë të njëjtën çështje.

Jared Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trump dhe ish-këshilltar në Shtëpinë e Bardhë, prezantoi vitin e kaluar planet për një kompleks hotelier me vlerë 500 milionë dollarë në qendër të Beogradit. Projekti fokusohet në ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila u bombardua nga NATO-ja në vitin 1999 gjatë fushatës për ndalimin e sulmeve serbe në Kosovë.

Pavarsisht dëmtimeve, ndërtesa ishte nën mbrojtje për vlerën e saj arkitekturore. Ky ligj anashkalon këtë mbrojtje duke e shpallur projektin “prioritet kombëtar”. Ai parashikon që të gjitha procedurat për zbatimin e projektit të rindërtimit të trajtohen me urgjencë dhe që institucionet shtetërore të marrin vendime pa vonesa.

Opozita paralajmëron pengimin e shembjes së godinës

Gjatë debatit para miratimit të ligjit, deputetët e opozitës kërkuan tërheqjen e tij, duke e cilësuar të paligjshëm. Shumica qeverisëse argumentoi se ndërtesa nuk mund të rinovohej dhe duhet të shembej për shkak të dëmtimeve dhe mungesës së materialeve të prodhimit.

Bilana Gjorgjeviq, deputete nga Fronti i Majtë i Gjelbër, paralajmëroi se ligji do të hyjë në fuqi një ditë pas miratimit, duke sugjeruar se shembja mund të fillojë menjëherë dhe se qytetarët do të përpiqen ta pengojnë.

Ajo nënvizoi rëndësinë arkitekturore të zonës dhe interesin e vetëm të regjimit për të forcuar marrëdhëniet me familjen Trump.

Petar Boshkoviq, deputet nga Qendra e Serbisë, theksoi se ndërtesa duhet ruajtur edhe për shkak të infrastrukturës teknike që ndodhet poshtë saj. Ai sugjeroi që deputetët në pushtet të mbajnë përgjegjësi për tradhti të lartë dhe që hoteli të zhvendoset pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes.

Ivana Rokviq nga Lëvizja Popullore e Serbisë, deklaroi se po shkatërrohet një simbol i historisë dhe shtetësisë vetëm për hir të qëndrimit në pushtet dhe pasurimit.

Zhvillimet e mëparshme

Qëllimi për të ndërtuar në këtë vend u shpreh nga Kushner në vitin 2024. Ai publikoi planet paraprake për një hotel luksoz, një ndërtesë biznesi dhe banimi. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq shprehu kënaqësi për projektin.

Në nëntor 2024, Qeveria serbe hoqi statusin e mbrojtur të ndërtesave, duke i hapur rrugën kompanisë së Kushnerit. Në maj, Prokuroria njoftoi arrestimin e zyrtarit përgjegjës për mbrojtjen e këtij objekti kulturor për falsifikim dokumentesh. Drejtori në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Goran Vasiq, pranoi se kishte sajuar një opinion ekspertësh.

Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, mohoi çdo përfshirje në falsifikim dhe premtoi ndërtimin e një kompleksi përkujtimor brenda objektit, kushtuar viktimave të bombardimeve të NATO-s.

Scroll to Top