Greqi: Gjendet trup i djegur brenda një makine, dyshohet për veprim kriminal
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot komunitetin lokal në Viotia, Greqi, ku është gjetur një makinë e djegur me një trup të karbonizuar brenda. Mjeti u zbulua në një zonë tepër të izoluar, e arritshme vetëm përmes një rruge rurale.
Gjetja e tmerrshme u bë e mundur kur një gjuetar, që po kalonte rastësisht nëpër zonë, vuri re mjetin e djegur dhe menjëherë njoftoi Policinë. Oficerët e mbërritur në vendngjarje konfirmuan se brenda automjetit ndodhej një person i karbonizuar. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes u gjetën edhe pranga, një detaj që forcon më tej dyshimet për një veprim kriminal.
Zëdhënësja e Shtypit e Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou, konfirmoi se automjeti është dërguar në laboratorët mjeko-ligjorë për analiza të mëtejshme. Qëllimi është mbledhja e të dhënave për identifikimin e ADN-së dhe gjurmëve të gishtërinjve të viktimës. Identifikimi i trupit paraqet sfida të mëdha për shkak të shkallës së lartë të karbonizimit.
Sipas policisë, makina dhe trupi i pajetë kanë qëndruar në vendngjarje për të paktën dy ditë përpara se të zbuloheshin. Hetimet po kryhen nga Departamenti i Vrasjeve dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar. Autoritetet po shqyrtojnë raportet e zhdukjeve të paraqitura në ditët e fundit për të ndihmuar në identifikimin e viktimës.
Policia nuk përjashton asnjë skenar, por provat fillestare sugjerojnë se bëhet fjalë për një veprim të planifikuar mirë. Autori ose autorët kanë zgjedhur një vend të izoluar, duke treguar një njohje të thellë të zonës.
