Policia e Shtetit merr në ruajtje 473 qendra votimi

Zgjedhjet: Policia e Shtetit merr në ruajtje 473 qendra votimi

Në kuadër të planit të masave të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka përfunduar instruktazhi i punonjësve të Policisë në qarqe ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, si Elbasan, Berat, Vlorë, Dibër dhe Gjirokastër.

612 punonjës të Policisë janë trajnuar dhe pajisur me librin e xhepit dhe dokumentin identifikues, sipas numrit kodik. Lista e punonjësve dhe mjeteve të angazhuara është miratuar nga KQZ.

Gjatë ditës së sotme, do të merren në ruajtje 473 qendra votimi, ndërsa objektet që shërbejnë si KZAZ janë tashmë në ruajtje nga Policia, që prej momentit të mbërritjes së materialeve zgjedhore.

Policia ka bërë të ditur se janë ngritur grupet e drejtimit në komisariate dhe Grupi i Koordinimit në DVP, i cili koordinon veprimet me Grupin e Drejtimit në DPPSH. Këto grupe do të ndjekin në kohë reale mbarëvajtjen e procesit dhe do të menaxhojnë çdo situatë, në zbatim të planit të posaçëm të masave.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.

Scroll to Top