Lufta në Gaza: Më shumë se 69 mijë viktima nga sulmet izraelite që nga fillimi i konfliktit
Numri i personave që kanë humbur jetën në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës ka tejkaluar 69 mijë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia palestineze e lajmeve Wafa. Të dhënat citojnë autoritetet shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi.
Sipas raportit, 69,169 persona janë vrarë dhe 170,685 të tjerë janë plagosur që nga nisja e konfliktit. Këto shifra janë përditësuar pas nxjerrjes së një numri të madh trupash nga rrënojat në disa zona të Rripit të Gazës.
Po ashtu, Wafa bën të ditur se që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor, janë vrarë 241 palestinezë dhe janë plagosur 614 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes për ndalimin e përkohshëm të luftimeve.
Situata humanitare në territorin e rrethuar mbetet tejet e rëndë, ndërsa organizatat ndërkombëtare vazhdojnë të bëjnë thirrje për qasje të plotë humanitare dhe respektim të armëpushimit.
