Patronazhistët pranë qendrave të votimit / Reagon Çelibashi
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Çelibashi, në një konferencë për shtyp ka dhënë informacione mbi procesin e votimit në pesë bashki të vendit. Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në të gjitha bashkitë deri në atë moment ishte 2.42%.
Ai u pyet gjithashtu edhe për personat e cilësuar si patronazhistë, të cilët qëndronin në hyrje të qendrave të votimit dhe mbanin shënim votuesit që hynin aty. Çelibashi deklaroi se kjo çështje do t’u drejtohet organeve kompetente.
Çelibashi shtoi se do të ndërhyhet edhe në ato qendra ku nuk është lejuar hyrja e kamerave televizive. Sipas kreut të KQZ-së, rezultati pritet të publikohet mesditën e së hënës.
Lidhur me numërimin e votave me Inteligjencë Artificiale në Tepelenë, ai shpjegoi se janë instaluar kamera në vendet e numërimit të votave, të cilat i numërojnë ato automatikisht.
“Kemi këto informacione për të ndarë me ju: përgjithësisht procesi ka filluar normalisht, 81% e qendrave janë hapur në orën 07:00, ndërsa vetëm 19% janë hapur ndërmjet orës 07:00-08:00 të mëngjesit. 34% e komisioneve janë të përbëra me 7 anëtarë, 29% me 5 anëtarë dhe 19% me 4 anëtarë. Vetëm në 3 qendra votimi kishte mungesë anëtarësh, por përmes komunikimeve që patëm, u mundësua plotësimi i tyre. Deri tani nuk janë raportuar probleme në fillimin e procesit dhe nuk kemi asnjë problem të raportuar për përdorimin e pajisjeve elektronike. Operatorët janë paraqitur në detyrë, identifikimi po kryhet në 100% të qendrave të votimit përmes këtyre pajisjeve. Nuk kemi transmetim në kohë reale në 18 qendra votimi, por jemi duke mbledhur informacion. Ajo që vlen të theksohet është se nuk kemi pasur probleme me pajisjet. Për sa i përket pjesëmarrjes, ajo është 2.42% në total për të gjitha bashkitë”, – tha Çelibashi.
