Shkelje Heshtje Zgjedhore: Balla thirrje, Celibashi reagim

Taulant Balla thyen heshtjen zgjedhore, reagon Celibashi: E ndaluar

Kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi, u pyet nga gazetarët pas shkeljes së heshtjes zgjedhore nga Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së, i cili bëri thirrje për votimin e kandidatëve socialistë në pesë bashki të vendit.

Duke folur për gazetarët, Celibashi theksoi se është e ndaluar të bëhen thirrje elektorale. “Është e ndaluar të bëhen thirrje elektorale, mund të bëhen thirrje për pjesëmarrje masive. Shpresoj që kjo vëmendje e rikthyer mbi këtë problematikë të dëgjohet,” tha Celibashi.

Më herët, në një postim në Facebook, Balla kishte kërkuar votimin për kandidatët socialistë. Ai shkroi: “Prej mëngjezit qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës po votojnë për kryebashkiakët e rinj për të vazhduar rrugën drejt ‘#Shqipëria2030’ me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Ne, socialistët shqiptarë, po mbajmë zotimin tonë në zgjedhjet e majit se ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve, pagave, dhe mandati i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kështu, pensionistët tanë, përveçse do të marrin këtë dhjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari, do të kenë një rritje të shtrirë në çdo muaj të katër viteve të ardhshme, mbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht. Prandaj, ju ftoj të dilni masivisht dhe të votoni kandidatët tanë.”

Scroll to Top