“Fëmijët tanë nuk duhet të ndjehen pakicë”
Meloni paralajmëron një paketë të re masash për shkollat në Itali, e cila përfshin kufizimin e numrit të nxënësve të huaj në klasa dhe ndalimin e veshjeve fetare që mbulojnë fytyrën.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka njoftuar një paketë të re masash për sistemin arsimor, e cila pritet të miratohet së shpejti nga Këshilli i Ministrave. Këto masa përfshijnë vendosjen e një kufiri ligjor për numrin e nxënësve të huaj në çdo klasë, si dhe ndalimin e burkas dhe hixhabit në institucionet arsimore.
Njoftimi u bë nga Meloni gjatë festivalit Fenix, i organizuar nga organizata rinore e partisë së saj, Vëllezërit e Italisë. Kryeministrja italiane shtoi se paketa do të parashikojë gjithashtu që prindërit e nxënësve të huaj me probleme serioze integrimi në shkollë të detyrohen të mësojnë gjuhën italiane. Meloni argumentoi se njohja e gjuhës dhe respektimi i rregullave të vendit janë thelbësore për procesin e integrimit.
“Një masë do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave që prezanton një kufi ligjor për numrin e nxënësve të huaj për klasë, kërkon nga prindërit e nxënësve të huaj me probleme serioze integrimi në shkollë të mësojnë italisht dhe ndalon burkën dhe hixhabin në shkolla”, deklaroi Meloni.
Lidhur me mbulimin e fytyrës, ajo theksoi se në shkollë duhet të paraqitesh me fytyrën e zbuluar dhe se barazia mes burrave dhe grave është një parim i patjetërsueshëm.
Meloni foli gjithashtu për përbërjen e klasave, duke deklaruar se nuk është e pranueshme që nxënësit italianë të ndihen si pakicë brenda klasave. Ajo e lidhi këtë masë me objektivin e integrimit të nxënësve që vijnë nga vende të tjera dhe me mësimin e gjuhës italiane.
Kufiri prej 30%
Debati për numrin e nxënësve të huaj në klasat italiane është ngritur prej javësh nga ministri i Arsimit dhe Meritës, Giuseppe Valditara. Më 11 shtator, Valditara deklaroi se kufiri prej 30% për nxënësit e huaj për klasë ekziston aktualisht në formën e një qarkoreje administrative, por sipas tij, nuk është zbatuar në mënyrë efektive.
Ai tha se qeveria synon ta rregullojë çështjen me ligj dhe t’u japë zyrave rajonale të arsimit një rol më të madh në shpërndarjen e nxënësve mes shkollave. Valditara ka argumentuar se përqendrimi i lartë i nxënësve që nuk e njohin mirë italishten në të njëjtën klasë mund të vështirësojë procesin mësimor dhe integrimin.
Qeveria synon, sipas tij, të shmangë krijimin e klasave me përqendrim të lartë të nxënësve që kanë nevojë për mbështetje gjuhësore.
Masat e reja të paralajmëruara nga Meloni pritet të konkretizojnë këto propozime, ndërsa detajet përfundimtare të paketës dhe mënyra e zbatimit të kufirit për nxënësit e huaj do të përcaktohen nga qeveria italiane.
