Zgjedhjet Pjesshme: Socialistët Dominues në Rezultatet Paraprake

Zgjedhjet e pjesshme: Rezultatet paraprake nuk zhgënjejnë mazhorancën

Ka nisur procesi i numërimit të votave në pesë bashkitë ku u zhvilluan zgjedhje të parakohshme dhe rezultatet paraprake tregojnë se socialistët nuk kanë arsye për t’u shqetësuar.

Në Tepelenë, sipas të dhënave të raportuara deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kandidati socialist Gramoz Sako kryeson me 111 vota, ndërsa kandidati i pavarur Gabriel Guma ka marrë vetëm 26 vota.

Në Berat, ku janë numëruar 7 kuti votimi, socialisti Ervin Ceca kryeson bindshëm me 748 vota, ndërsa kandidati i pavarur Pavlo Shkarpa, i mbështetur nga Partia Demokratike (PD), ka 142 vota.

Edhe në Cërrik, kandidati socialist Florenc Doka kryeson me 184 vota. Atë e ndjek kandidati i pavarur Amarildo Hoxha me 31 vota, dhe kandidati i Lëvizjes Shqipëria Bëhet ka marrë 16 vota.

Në Vlorë, bashkia me pjesëmarrjen më të ulët, socialistja Brunilda Mersini kryeson me 713 vota. Dionis Sota, i pavarur dhe i mbështetur nga PD, ka 92 vota, ndërsa Gjergji Nika, gjithashtu i pavarur, ka 85 vota.

Në Mat ka nisur gjithashtu numërimi, por të dhënat e para nuk janë ende të përditësuara.

Në total, vetëm 18.45% e 334,539 mijë qytetarëve me të drejtë vote kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit në pesë bashkitë e përfshira.

Bashkia me pjesëmarrjen më të lartë ishte Mati me 39.36%, e ndjekur nga Tepelena me 34.63%, Cërriku me 25% dhe Berati me 19.98%.

Pjesëmarrjen më të ulët e ka shënuar Vlora, bashkia më e madhe në zgjedhjet e së dielës, ku votuan vetëm 12.54% e qytetarëve.

Scroll to Top