Trump pret presidentin sirian në Shtëpinë e Bardhë

Hera e parë në histori, Trump pret në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Sirisë, al-Sharaa

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, të hënën. Ky takim shënoi vizitën e parë të një kreu shteti sirian në SHBA që nga pavarësia e vendit në vitin 1946. Pritet që Siria t’i bashkohet zyrtarisht koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të kundër organizatës terroriste Shteti Islamik.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi lidhur me vizitën: “Ky është pjesë e përpjekjeve të presidentit në diplomaci për t’u takuar me këdo në mbarë botën në kërkim të paqes.”

Ky takim vjen pas atij të mbajtur në maj në Arabinë Saudite, i cili ishte kontakti i parë zyrtar mes SHBA-së dhe Sirisë që kur Bill Clinton takoi Hafez al-Assad në vitin 2000. Pas takimit në Riad, Trump e përshkroi al-Sharaa si një “djalë të ri dhe tërheqës. Djalë të fortë. Me një të kaluar të fortë, shumë të fortë. Luftëtar”.

Presidenti amerikan ka deklaruar së fundmi se al-Sharaa “po bën një punë shumë të mirë deri më tani” dhe se “është bërë shumë përparim me Sirinë” që kur Uashingtoni lehtësoi sanksionet.

Bisedimet pritet të kulmojnë me Sirinë që do t’i bashkohet zyrtarisht koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të kundër ISIS-it. Ky veprim do t’i mundësojë Damaskut të bashkëpunojë më ngushtë me forcat e armatosura amerikane.

Scroll to Top