Sarkozy në Gjykatën e Parisit: Jeta në burg është shumë e vështirë, kurrë nuk do të pranoj diçka që nuk e kam bërë
Gjatë një momenti emocional në Gjykatën e Apelit të Parisit, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy e ka përshkruar si “shumë të vështirë” jetën brenda burgut La Santé, ku po vuan një dënim me pesë vjet për skandalin e financimit libian të fushatës së tij të vitit 2007. Duke folur përmes videokonferencës nga një dhomë e posaçme brenda burgut, Sarkozy iu drejtua drejtpërdrejt gjyqtarëve pas përfundimit të fjalës së prokurorisë.
“Dua që të gjithë të jenë të bindur për një gjë: Kurrë nuk më ka shkuar në mendje ideja e çmendur të kërkoja ndonjë financim nga zoti Kadafi. Kurrë nuk do të pranoj diçka që nuk e kam bërë,” tha ai.
70-vjeçari, i cili u bë ish-kreu i parë i shtetit francez në epokën moderne që hyri në burg më 21 tetor, shtoi: “I jam përgjigjur me përpikmëri çdo thirrjeje gjyqësore. Kurrë nuk e imagjinoja se do të duhej të pres 70 vjet për të përjetuar burgun. Kjo provë më është imponuar. E kam duruar. Është e vështirë, shumë e vështirë.”
Ai përfundoi duke shprehur dashurinë për vendin dhe familjen e tij, si dhe duke falenderuar personelin e burgut për trajtimin njerëzor. Sarkozy nuk është fizikisht në sallë, por bashkëshortja Carla Bruni ndodhet në gjykatë për të mbështetur çështjen.
Prokuroria duket e favorshme ndaj lirimit me kusht, ndërkohë që vendimi pritet pasdite (rreth orës 13:30 ora lokale). Nëse aprovohet, ai mund të dalë nga burgu brenda pak orësh, ndoshta me pajisje elektronike ose masa të tjera mbikëqyrjeje. Apeli i plotë për dënimin do të zhvillohet më vonë, ndoshta në pranverën e vitit 2026.
