Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimin ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit në Shkodër, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre.
Burime konfirmuan se dy të dyshuarit, të identifikuar si B.Q. dhe E.K., dyshohen se kanë mundësuar kalimin e një kamioni me targa boshnjake në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Autoritetet malazeze, gjatë një kontrolli, kanë gjetur drogë në këtë mjet.
Njoftim i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Gjykata ka caktuar masat e sigurimit personal:
- “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”
- “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
këto masa parashikohen në nenet 242 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale. Ato janë vendosur për dy punonjës policie, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Punonjësit e përfshirë janë:
- B.Q., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”.
- E.K., me detyrë Trupë Shërbimi / Kontrollor në vijën e dytë në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”.
Caktimi i masave të sigurimit u bë i mundur pas hetimeve të thelluara me metoda speciale. Hetimet lidhen me ngjarjen e datës 05.09.2025, ku një kamion me targa të Bosnjë-Hercegovinës, pasi kishte kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë, u ndalua nga policia malazeze.
Gjatë kontrollit të ushtruar në kamion, janë gjetur 114 pako PVC, që përmbanin një substancë bimore të ngjashme me marihuanën. Pesha bruto e kësaj substance ishte 131.7 kg.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
