Dosja Balluku/ Zbulohet manipulim edhe te tenderi për mbikëqyrjen e tunelit të Llogarasë
Përveç tenderit kryesor për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, dyshohet se është manipuluar edhe ai i mbikëqyrjes së punimeve. Inspektorët kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me cilësinë dhe sigurinë e punimeve në tunel.
Nga Vladimir Karaj/ Birn
Në korrik të vitit 2022, pas një inspektimi në kantierin e tunelit të Llogarasë, përfaqësuesi grek i kompanisë mbikëqyrëse, Ioannis Kirkinezis, shprehu shqetësimin e tij të thellë. Ai i dërgoi një mesazh të alarmuar kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, duke theksuar se punimet për projektin po përkeqësoheshin dita-dites. Kirkinezis, përfaqësues i kompanisë “Hill International NV”, i shkroi Berberit: “Evis… kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht çështjet e SIGURISË…”
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme ndaj ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi, tregon se tensionet mes palëve u shtuan në muajt në vijim. Dokumentet e dosjes nxjerrin në pah ankesat e Kirkinezis lidhur me cilësinë e dobët të punimeve, mungesën e projekteve dhe trajtimin “neglizhent dhe fyes” nga ana e nënkontraktorit. Mesazhet e shkëmbyera mes Kirkinezis dhe Berberit, që datojnë nga gushti i vitit 2021, kur Ministria e Infrastrukturës shpalli tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë me një fond limit prej 196.2 milionë lekësh, zbulojnë një marrëdhënie të ndërlikuar.
Fitues të tenderit u shpallën kompania “Hill International”, e përfaqësuar nga Kirkinezis, dhe “Net Group” sh.p.k. Megjithatë, Prokuroria e Posaçme pretendon se ky është një tjetër tender i manipuluar, pas atij të ndërtimit të vetë tunelit, dhe akuzon Berberin për paracaktimin e fituesit. Sipas SPAK, Kirkinezis vetë hartoi kriteret e tenderit, duke marrë si partner kompaninë “Net Group” sh.p.k., e cila sipas hetimit, rezulton të jetë lidhur me Berberin.
Ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, u dërgua në gjykim në qershor të këtij viti bashkë me 18 persona të tjerë për vepra penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Brenda një skeme më të gjerë, zbuluar gjithashtu nga komunikimet telefonike të Berberit, ai dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku akuzohen se u përfshinë në paracaktimin e fituesit të tenderit prej 18.9 miliardë lekësh për ndërtimin e tunelit kontrovers të Llogarasë.
Dy dosjet së bashku hedhin dritë mbi një problematikë sistematike në sektorin e infrastrukturës, ku tenderat publikë shpallen fiktivisht, ndërkohë që marrëveshjet për kriteret dhe fituesit janë bërë paraprakisht.
Evis Berberi ka mohuar akuzat e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa ministrja Belinda Balluku ka shmangur komentet, duke deklaruar se “ka besim te drejtësia”. Ioannis Kirkinezis nuk ka qenë i arritshëm për koment.
Skema me fatura fiktive
Tuneli i Llogarasë, që lidh Vlorën me rajonin jugor të Shqipërisë, është një nga projektet më të mëdha dhe më të shtrenjta të infrastrukturës në pesë vitet e fundit, por edhe një nga më të diskutueshmit për shkak të funksionit të kufizuar.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme sugjerojnë se si tenderi për ndërtimin, ashtu edhe ai për mbikëqyrjen e punimeve, janë paracaktuar. Mesazhet e siguruara nga SPAK nga telefonat e Berberit tregojnë se ai ka qenë personi kyç dhe një nga përfituesit kryesorë të këtyre aferave.
Procedurat e tenderimit për mbikëqyrjen kanë filluar pothuajse njëkohësisht me ato për punimet dhe përfunduan në dhjetor 2021. Megjithatë, fituesi dukej të ishte i vendosur që nga kontaktet e para mes Kirkinezis dhe Berberit në gusht 2021.
Prokuroria pretendon se Berberi ka orkestruar një skemë komplekse, duke filluar nga përshtatja e kritereve të tenderit për kompaninë “Hill International”, lidhja e saj me “Net Group” dhe kualifikimi i këtij bashkimi operatorësh me dokumente të falsifikuara. Qëllimi final ishte përfitimi i miliona lekëve përmes një skeme me fatura fiktive mes “Net Group” të Valter Begajt dhe kompanisë DAAM, të cilën SPAK thotë se e kontrollonte vetë Berberi.
Para shpalljes zyrtare të procedurës, hetuesit kanë dokumentuar komunikime intensive mes Evis Berberit dhe Ioannis Kirkinezis. Një mesazh i datës 27 gusht 2021, Kirkinezis i shkruan Berberit: “Përshëndetje! A ke ndonjë lajm për ofertuesin për mbikëqyrjen/supervizimin e Llogarasë? E pashë që kriteret janë shumë të forta. A mund të diskutojmë?”.
Pas këtij komunikimi, ata organizuan një takim. Në tetor 2021, ndërsa ARRSH po përgatiste kriteret për tenderin, Kirkinezis i dërgoi Berberit, në adresën e tij zyrtare të emailit, një dokument me detaje teknike të grupit që duhet të kryente mbikëqyrjen e projektit. Prokuroria zbuloi se njësia e prokurimit e përshtati listën e kritereve pikërisht sipas këtij dokumenti, duke ulur numrin e inxhinierëve dhe specialistëve të kërkuar, sipas kërkesës së Kirkinezis.
Më 22 nëntor 2021, kur dokumentet përfundimtare të tenderit u miratuan, lista e personelit të kërkuar ishte identike me atë që Kirkinezis i kishte dërguar me email Berberit një muaj më parë. Kriteret ishin ndryshuar për t’iu përshtatur kompanisë specifike.
“Në rrethanat e mësipërme rezulton se kriteret e vendosura tek dokumentet standarde të tenderit janë përgatitur nga përfaqësuesi i shoqërisë holandeze “Hill International N.V”, shtetasi grek, Ioannis Kirkinezis, shoqëri që ka marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi, si bashkim i operatorëve BOE “Hill International N.V” & “Net Group” sh.p.k”, thuhet në dosjen hetimore.
Pas përshtatjes së kritereve, Berberi, sipas hetimeve të SPAK, i sugjeroi kompaninë “Net Group” të Valter Begajt. Të dyja kompanitë, “Hill International NV” dhe “Net Group”, krijuan një bashkim operatorësh dhe morën pjesë në tender. Megjithatë, sipas dosjes hetimore, ky bashkim operatorësh nuk plotësonte as kriteret e “qepura” për ta, pasi kishte mungesë përvoje dhe stafi të kualifikuar, por megjithatë e fitoi tenderin.
Hetimet zbuluan se ky orientim nga Berberi nuk ishte i rastësishëm. SPAK ka gjetur se përmes “Net Group” dhe kompanisë DAAM, Berberi përfitoi dhjetëra milionë lekë, si dhe në 7 procedura të tjera prokurimi. Paratë, sipas prokurorisë, u transferuan me fatura fiktive.
Hetimet tregojnë se pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë paguante kompaninë “Hill International NV” (dega në Shqipëri) për shërbimet e mbikëqyrjes, kjo e fundit i transferonte “Net Group” sh.p.k një pjesë të pagesave. Deri në nëntor 2024, “Net Group” ka përfituar rreth 74.3 milionë lekë nga “Hill International”, por nga këto para, 19.2 milionë i kaluan kompanisë DAAM, të cilën prokuroria thotë se e zotëronte de facto Evis Berberi. Transfertat justifikoheshin me fatura fiktive për “specialist për tunelin Llogara”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, një listë e gjatë ekspertësh nga Greqia, të cilët ishin deklaruar se do të kryenin mbikëqyrjen e punimeve të tunelit, nuk e kaluan kurrë kufirin. Gjithashtu, një numër ekspertësh shqiptarë, që supozohej se punonin për kompaninë “Net Group”, nuk ishin kurrë në Llogara. Dëshmitë e marra nga prokuroria tregojnë se këta ekspertë kishin huazuar licencat për pagesa minimale mujore, por nuk u thirrën kurrë për të punuar. Prokuroria thotë se ata që kryen mbikëqyrjen ishin të ndryshëm nga lista me të cilën kompanitë fituan tenderin. Ky zëvendësim masiv i stafit kryesor u bë pa miratimin me shkrim të Autoritetit Kontraktor, duke shkelur kontratën.
Telashet e mbikëqyrjes
Problemet serioze filluan kur kompania “Hill International” tentoi të kryente mbikëqyrjen. Gjatë zbatimit të projektit, komunikimet në “Signal” mes Kirkinezis dhe Berberit tregojnë se përfaqësuesi i “Hill” filloi të ankohej për probleme me ndërtuesin, i cili neglizhonte projektin, cilësinë e materialeve dhe një sërë problemesh të tjera, që sipas tyre, vinin në rrezik tunelin.
Mbikëqyrësit e “Hill” që mbërritën në Shqipëri, ngritën alarmin për cilësinë e punimeve. Ata ankoheshin se kompania ndërtuese po punonte pa plan ose me plane të ndryshuara. Këta mbikëqyrës gjetën se nuk po përdorej çelik në betonimin e tunelit dhe se kompania kryese hoqi elemente sigurie nga tuneli.
Procesverbalet e këqyrjes së telefonit “iPhone 13 Pro Max” të Evis Berberit, të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së tij, zbulojnë në detaje përmbajtjen e këtyre ankesave. Komunikimet në aplikacionin “Signal” tregojnë se Ioannis Kirkinezis e informonte rregullisht Berberin për shkelje të rënda nga ana e ndërtuesit dhe për shpërfilljen e rolit të tij si mbikëqyrës, pasi, siç i shkruante ai, “ndërtuesi nuk respekton kërkesat dhe udhëzimet e mbikëqyrësit”.
Ankesat kulmuan në nëntor 2022, kur ai raportoi shkelje alarmante sigurie, si fakti që kontraktori po hidhte “betonin pa çelik. Jo i përforcuar”. Ai gjithashtu e paralajmëroi Berberin se dizajni i ri i ventilimit nuk kishte “asnjë dispozitë për rastet e zjarrit”, duke shtuar se kjo do të rrezikonte jetën e udhëtarëve.
“Propozimi i ri i Kontraktorit ka të bëjë vetëm me kushtet normale të funksionimit, pa asnjë dispozitë për rastet e zjarrit. Nëse ndodh një incident i tillë, sigurisht që do të ketë viktima,” i shkroi Kirkinezis Berberit.
Ndryshe nga pjesa e parë e skemës, ku Berberi ishte i përfshirë në komunikime me Kirkinezis, në këtë fazë ku diskutohej cilësia e tunelit, ai shfaqet indiferent. Kjo indiferencë e frustron partnerin grek. “A mendoni se ne kemi ndonjë vlerë të shtuar për projektin apo ndonjë funksion?”, shkroi ai, duke kërkuar një takim me Berberin.
Në një mesazh tjetër të cituar në dosje, Kirkinezis i tha Berberit: “Ne jemi në këtë projekt për shkakun tënd DHE PËR TY/JU. Thjesht më trego se çfarë të bëj dhe unë do të ndjek plotësisht këshillat e tua.”
Fati i cilësisë së punimeve është i paqartë në dosje. Në dëshminë e tij në Prokurori, Kirkinezis deklaroi se pas komunikimeve të shpeshta me Berberin për cilësinë e punimeve, ai e kishte paralajmëruar se mund të tërhiqej nga mbikëqyrja nëse “ishim të padobishëm”. “Pas këtij mesazhi është bërë një mbledhje dhe situata u përmirësua. Ndërtuesi po punonte me cilësi dhe siguri si dhe projekti u përfundua në kohë,” tha Kirkinezis në dëshminë e tij.
