OSHEE Charge: Karikimi i makinave elektrike, çmimet dhe pika e re

Projekti “OSHEE Charge”: Zëvendëskryeministrja Balluku zbulon vendndodhjen e pikës së parë dhe çmimet për bizneset

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka prezantuar sot projektin “OSHEE Charge”, një shërbim i ri për karikimin e mjeteve elektrike, si pjesë e përpjekjeve drejt energjisë së pastër dhe transportit të qëndrueshëm.

Balluku bëri të ditur se pika e parë e karikimit do të ndërtohet pranë TEG-ut, në drejtim të Farkës. Ajo gjithashtu sqaroi se çmimi i energjisë do të ndryshojë vetëm për bizneset, ndërsa për individët që karikojnë automjetet e tyre pranë banesave, çmimi do të mbetet i pandryshuar.

“Ndërkohë, do të ndaloja te ky produkt i ri. duke ndjekur filozofinë e inovacionit dhe frymën e qeverisë, sot jemi këtu për të lançuar një produkt të ri. OSHEE Charge është një hap i domosdoshëm. Rrjeti aktual i pikave të karikimit është ende i kufizuar në Tiranë, duke lënë boshllëqe të mëdha, sidomos në zonat turistike. Kuadri ligjor krijon ambiguitet. Është shumë e qartë se legjislacioni ekzistues nuk lejon rishitjen për asnjë tipologji biznesi. Është prodhuar një treg i pakontrolluar, ku energjia e blerë me 14 lekë rishitet me 40-60 lekë. Sot ka 254 pika karikimi, me tendencë rritje. Pritet të ketë një konsum prej 14 milionë kilovat orë në vitet e ardhshme,” tha Balluku.

Për të siguruar konkurrencë të ndershme, është miratuar një çmim i veçantë për flotën elektrike prej 22 lekë për kilovat orë, i destinuar për subjektet e karikimit. Kjo do të thotë se 22 lekë do të jetë çmimi me të cilin tregtarët privatë do të blejnë energjinë.

“Nxisim rritjen e flotës elektrike, por konsumatorët familjarë do të karikojnë mjetet e tyre pranë banesave me të njëjtin çmim që paguajnë energjinë. Ky rregullim synon të vendosë barazi në treg. Nga ana tjetër, OSHEE është pozicionuar më mirë se kushdo; sigurojmë çmime konkurruese dhe shërbim të qëndrueshëm. Energjia do të vijë nga OSHEE, nga burimet e rinovueshme,” shtoi ajo.

Pika e parë, pranë TEG-ut në drejtim të Farkës, do të ketë 10 stacione karikimi të tipit “fast charger”, ku për pak minuta mund të karikohen 20 automjete. Gjithë hapësira e ndërtuar rreth kësaj pike inovatore karikimi do të shërbejë si një zonë rekreative. Gjithashtu, ka edhe pjesë të tjera të parashikuara për familjet dhe të rinjtë, për t’i bërë më të këndshëm kohën e pritjes gjatë karikimit të automjeteve.

“Ky projekt është model i qëndrueshmërisë ekonomike dhe energjetike. Synojmë që në Tiranë të ngremë edhe 3 pika të tjera. Është shembulli më i mirë se si një kompani shtetërore mund të ndikojë edhe në mirëqenien sociale. OSHEE është shembulli se si një kompani, e cila në vitin 2013 ishte e zhytur në borxhe, arrin të nxjerrë në treg produkte të reja që sjellin përfitime jo vetëm për financat e kompanisë, por edhe për vendin,” u shpreh Balluku.

Scroll to Top