Ukraina: Reduktime Energjie nga Sulmet Ruse, Rrezik Bërthamor

Reduktime të mëdha të energjisë në Ukrainë, si pasojë e sulmeve ruse

Kievi dhe disa rajone ukrainase po përballen me mungesë të theksuar energjie, ndërkohë që ekipet po përpiqen të riparojnë infrastrukturën e dëmtuar nga sulmet ajrore ruse.

Kompania ukrainase e energjisë, Ukrenergo, ka njoftuar se reduktime të energjisë do të ketë në shumicën e rajoneve, duke zgjatur nga tetë deri në 16 orë, dhe se situata e njëjtë pritet të vazhdojë për disa ditë.

“Reduktimet janë pasojë e sulmeve masive ruse me dronë dhe raketa në infrastrukturën e energjisë,” ka bërë të ditur kompania.

Zëdhënësja e Ukrenergo, Svitlana Hrynchuk, ka theksuar: “Është e vështirë të kujtojmë se kur ka pasur kaq shumë sulme direkte në sektorin e energjisë prej nisjes së pushtimit.”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka thënë qytetarëve se “ekipet për riparim po punojnë pa pushim në të gjitha rajonet.”

Edhe para fillimit të stinës së ftohtë, Rusia kishte intensifikuar fushatën për të dëmtuar rrjetin e energjisë, objektet e magazinimit të gazit natyror, si dhe gazsjellësit, në përpjekje për të demoralizuar ukrainasit.

Ndërkohë, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, ka paralajmëruar për rrezikun e sulmeve ushtarake në centralet bërthamore.

“Vazhdoj të bëj thirrje për përmbajtje maksimale ushtarake, në mënyrë që të garantojmë sigurinë bërthamore dhe t’i shmangim aksidentet me pasoja të mëdha radiologjike,” ka thënë ai në një deklaratë.

Grossi ka bërë të ditur se centrali më i madh bërthamor ukrainas, i cili ndodhet në Zaporizhja dhe është nën kontrollin rus, ka nisur sërish të ketë qasje në rrjetin e energjisë rezervë, për herë të parë në gjashtë muaj. Ky central është përballur me probleme të mëdha energjie, që kanë rrezikuar ftohjen e ujit të nevojshëm dhe punën e të gjitha pompave.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se ka nisur “sulm masiv me precizitet të lartë” me qëllim të shënjestrimit të qendrave për prodhim armësh dhe objekteve të energjisë në Ukrainë.

Si pasojë e kësaj situate, disa metrote nëpër Ukrainë kanë ndërprerë punën.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Scroll to Top