Trump paralajmëron kontrollorët ajrorë: Të ktheheni në punë ose pagat do të mbahen
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar kontrollorët e trafikut ajror se pagat e tyre do të mbahen nëse nuk kthehen menjëherë në punë. Ai shtoi se për ata që do të vazhdojnë punën, do të rekomandojë dhënien e një bonusi prej 10.000 dollarësh.
“Të gjithë kontrollorët e trafikut ajror duhet të kthehen në punë, TANI!!! Kushdo që nuk kthehet, në thelb do t’i mbahen pagat”, deklaroi Trump në një postim në platformën Truth Social.
Paraliza buxhetore, e cila ka pezulluar një sërë shërbimesh publike për 41 ditë, një kohëzgjatje rekord, po shkakton kaos edhe në transportin ajror. Mospagimi në nivel federal dhe mungesa e kontrollorëve të trafikut ajror kanë çuar në anulimin e mbi 1.500 fluturimeve të brendshme në SHBA sot, duke shënuar ditën e katërt radhazi me më shumë se 1.000 anulime.
Sipas faqes së specializuar Flightaware, deri në orën 8:30 të mëngjesit (koha lindore e SHBA-së), më shumë se 1.550 fluturime ishin anuluar dhe 1.400 të tjera kishin vonesë. Kjo vjen pas 2.950 fluturimeve të anuluara dhe pothuajse 10.800 të vonuara të dielën, duke e bërë ditën më të vështirë për transportin ajror që nga fillimi i shutdown-it më 1 tetor.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka urdhëruar kompanitë ajrore të reduktojnë 4% të fluturimeve të tyre ditore në 40 aeroporte kryesore që nga e premtja, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e kontrollit të trafikut ajror. Reduktimet do të rriten në 6% nesër, të martën, dhe më pas në 10% deri më 14 nëntor.
