Buxheti i Shëndetësisë 2026: A do arrijë 1 miliardë euro?

Propagandë me 1 miliardë euro për shëndetësinë në vitin 2026

Nga Esmeralda Topi, Faktoje

Në një video të shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama deklaroi se buxheti i shëndetësisë dhe i mirëqenies sociale për vitin e ardhshëm do të tejkalojë vlerën e 1 miliardë eurove. “Mu duk e udhës të ndaj me ju projektbuxhetin 2026 me mbi 1 miliardë eurot e tij për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale”, u shpreh kryeministri.

Megjithatë, financimi për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale nuk e arrin këtë shifër. Sipas projektbuxhetit zyrtar, totali për shëndetësinë dhe përkujdesjen sociale në vitin 2026 është 82,5 miliardë lekë, që konvertohet në rreth 853 milionë euro. Kjo shumë është rreth 147 milionë euro më pak sesa deklaron kryeministri.

“E gjithë kjo që ndodh është një propagandë ‘extra’ për veshët e qytetarëve”, shpjegon drejtori i Institutit për Studime Ekonomike, Zef Preçi. “Pastaj, përse duhet përmendur sikur po jep kursimet e jetës, kur buxheti është kontribut fiskal i përbashkët i të gjithë qytetarëve të vendit?”, shton ai.

Edhe duke analizuar strukturën e buxhetit të shëndetësisë, vihet re një pabarazi e theksuar:

  • Shërbimet e kujdesit dytësor (spitalet) marrin pothuajse gjysmën e totalit, 49.2%.
  • Plani, menaxhimi dhe administrimi kapin vetëm 0.6%.
  • Kujdesi parësor, që duhet të jetë baza e çdo sistemi shëndetësor funksional, merr vetëm 8.7%.
  • Përkujdesja sociale, e cila shpesh përmendet si shembull i mbështetjes, merr 33.6% të totalit.

Shkurtim fondesh ndër vite

Edhe pse shëndetësia shpallet prioritet, në pesë vitet e fundit fondet, megjithëse të kufizuara, janë ulur më tej përmes akteve normative. Nga viti 2021 deri në 2025, buxheti fillestar rritet, por aktet normative që vijnë më pas shpesh reduktojnë shumat reale që shkojnë në shëndetësi.

“Në shëndetësi fondet janë pakësuar jo aq për shkak të vështirësive buxhetore apo përparësive të tjera zhvillimore, por kryesisht për shkak të kontrollit me dorë të hekurt të prokurimeve. Tenderat anullohen nëse paratë nuk shkojnë ‘aty ku duhet'”, argumenton eksperti për ekonominë Zef Preçi.

Rasti më tipik është viti 2023, ku u planifikuan 78 miliardë lekë, por në fakt u dhanë vetëm 74,4 miliardë. Një diferencë që përkthehet në më pak spitale, më pak shërbime dhe më pak mundësi për pacientët. Edhe këtë vit, vërehet se në tre akte normative, buxheti për shëndetësinë është reduktuar gradualisht nga 80,7 miliardë lekë në 80,2 miliardë.

Reduktimin më të ndjeshëm e kanë pasur fondet për kujdesin parësor, që janë thelbësore për parandalimin dhe shërbimet bazë. Referuar aktit të fundit normativ, financimi është ulur ndjeshëm me gati 1.4 miliardë lekë. Edhe shërbimet e shëndetit publik kanë pësuar ulje me rreth 259 milionë lekë, ndërsa përkujdesja sociale ka mbetur pothuajse e pandryshuar. Krahasuar me planin fillestar, është rritur vetëm financimi për spitalet me 1.2 miliardë lekë. Pjesa tjetër e sektorit është prekur nga shkurtimet.

Përfundim

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama përmend shifrën 1 miliardë euro teksa i referohet financimit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. Edhe në mars të këtij viti, gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ai deklaroi: “Shëndetësi dhe mbështetje sociale sot janë 1 miliardë euro, sot.” Megjithatë, verifikimi i të dhënave buxhetore tregon se fondet reale për sektorin edhe këtë vit janë më të ulëta se 1 miliardë euro. Nëse do të merrnim për të mirëqenë këtë deklaratë të përsëritur, do të nënkuptonte se kemi të paktën dy vite që qëndrojmë në vendnumëro, me “1 miliardëshin” që nuk ndryshon asnjëherë.

Nisur nga verifikimi i kryer, deklarata e kryeministrit Edi Rama se financimi i shëndetësisë në projektbuxhetin e 2026 tejkalonte vlerën 1 miliard euro, e kategorizojmë të pavërtetë.

Scroll to Top