Sulmi në Tajvan, kërcënim ekzistencial: Përplasje diplomatike Kinë-Japoni, Pekini i kërkon Tokios të mos përfshihet në punët e veta.
Japonia dhe Kina janë përfshirë në një përplasje diplomatike, pasi kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund të përbënte “një situatë kërcënuese për mbijetesën” për Japoninë, duke i hapur mundësinë përdorimit të forcës.
Takaichi, e cila u zgjodh si kryeministrja e parë femër e vendit muajin e kaluar, ka theksuar të premten se përdorimi i forcës nga kinezët rreth Tajvanit do të konsiderohej si “një kërcënim ekzistencial”.
Ky konfrontim diplomatik filloi të premten, kur Takaichi u pyet në parlament rreth skenarëve që do të përbënin një kërcënim për Japoninë. Politikania ultrakonservatore përmendi si shembuj një bllokadë detare kineze ndaj Tajvanit dhe çdo veprim ushtarak për të penguar mbërritjen e forcave amerikane.
“Nëse përfshin përdorimin e anijeve luftarake dhe veprimeve ushtarake, kjo mund të shndërrohet në një situatë kërcënuese për mbijetesën”, në të cilën rast Japonia mund të përdorë forcën për mbrojtje, u shpreh ajo.
Komentet e saj ngjallën një reagim të ashpër nga Pekini gjatë fundjavës. Konsulli i Përgjithshëm Kinez Xue Jian, në një mesazh të postuar në platformën X (më vonë të fshirë), deklaroi: “Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t’ia presim atë qafën e ndyrë që na është sulmuar pa hezitim. A jeni gati?”.
Xue kritikoi gjithashtu deklaratat e mëparshme të ish-kryeministrit Shinzo Abe dhe ligjvënësve të tjerë japonezë, të cilët kishin thënë se “një emergjencë në Tajvan është emergjencë në Japoni”. Sipas tij, këto komente përbëjnë “ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kinës dhe shkelje të sovranitetit”, duke kërkuar tërheqjen e tyre dhe një kërkim falje.
Të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara, njoftoi se Tokio i kishte paraqitur një protestë Pekinit për mesazhin e Xue-s. “Ndërsa qëllimi i postimit nuk është plotësisht i qartë, duhet të themi se komenti… ishte jashtëzakonisht i papërshtatshëm”, deklaroi Kihara.
