Atentat/ Brenda Gilmando Danit ishte edhe një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
Janë zbuluar detaje të reja rreth Muçi Shaljani Sheqeri, personit i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin mafioz ndaj Gilmando Danit pasditen e sotme. Muçi Shaljani Sheqeri rezulton të ketë qenë agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore prej 3 muajsh.
Kujtojmë se atentati mafioz ndodhi rreth 25 minuta pasi Gilmando Dani ishte kthyer nga Barcelona. Ai mësohet se rreth orës 13:55 ishte pritur në aeroport nga Muçi Shaljani. Ndërkohë, siç ka njoftuar policia, vrasja ka ndodhur rreth 25 minuta më vonë, pasi ngjarja është regjistruar rreth orës 14:20.
Dyshohet se autorët kishin informacion të saktë mbi lëvizjet e tyre dhe i kanë ndjekur deri pranë rrethrrotullimit afër Rinasit. Në momentin kur Shaljani, i cili drejtonte një automjet tip Mercedes Benz S-Class, po largohej nga zona e aeroportit, ndaj tyre është hapur zjarr me breshëri automatiku.
Si pasojë e të shtënave, Gilmando Dani ka ndërruar jetë në vend, ndërsa Shaljani ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit, pasi plumbat e kanë prekur edhe në kokë.
