Apeli lë në fuqi dënimin e ish-kryebashkiakut të Pogradecit, Eduart Kapri
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke shpallur fajtor ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, dhe dy vartësit e tij. Ata akuzohen se kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me ligjin në një pallat 14-katësh, të kompanisë së themeluar nga vetë Kapri dhe administruar nga vëllai i tij.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i Apelit të Posaçëm, i kryesuar nga gjyqtarja Nertina Kosova dhe anëtarët Florian Kalaja e Saida Dollani.
Eduart Kapri ishte dënuar më parë, më 27 shkurt, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, me 1 vit e 6 muaj burgim. Përmes gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 1 vit burgim. Kjo masë dënimi u pezullua, duke e lënë Kaprin në provë për një afat prej 2 vitesh.
Fajtorë për shpërdorim detyre u shpallën edhe juristi i Bashkisë Pogradec, Besjan Meço, dhe specialistja e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në këtë njësi vendore, Besmira Niko. Ata u dënuan secili me nga 8 muaj burgim. Edhe për këta të pandehur, gjykata vendosi ta pezullojë dënimin dhe i la në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.
Kompania “Gedi sh.p.k” mori lejen për ndërtimin e një kompleksi banimi në vitin 2009, kur administrator ishte vetë Eduart Kapri. Bashkia Pogradec refuzoi më vonë zgjatjen e afatit të lejes së ndërtimit, pasi afati për përfundimin e punimeve kishte skaduar më 9 dhjetor 2014 dhe kërkesa e subjektit ndërtues ishte depozituar jashtë afateve ligjore.
Në mars të vitit 2016, ndërkohë që konflikti administrativ mes bashkisë dhe shoqërisë së Kaprit ishte ende për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ai, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, lejoi jo vetëm përfundimin e punimeve të pezulluara nga administrata e mëparshme, por edhe ndërtimin e kateve shtesë nga shoqëria me administrator vëllain e tij, Gëzim Kapri.